Në “Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Turqisë”, Recep Tayyip Erdoğan do të marrin pjesë 22 presidentë, 28 kryeministra dhe krerë parlamentarë si dhe 6 sekretarë të përgjithshëm të organizatave ndërkombëtare, bëjnë të ditur burimet presidenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e pjesëmarrësve të ceremonisë do të jenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Burimet bëjnë të ditur se, presidenti Recep Tayyip Erdoğan nesër në ora 16.30 sipas kohës lokale do të betohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), pas së cilës do të vizitojë mauzoleun Anıtkabir.
Ndërsa në orën 18.00 do të mbahet “Ceremonia e Inaugurimit të Presidentit” me pjesëmarrjen e një numër të madh të presidentëve, krerëve qeveritarë dhe parlamentarë, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Më pas presidenti Erdoğan do të shtrojë darkë për krerët e ftuar të shteteve, qeverive dhe kuvendeve.
Në mbrëmjen e njëjtë presidenti Erdoğan do të mbajë një konferencë për media, ku do të shpalosë kabinetin presidencial.
Në “Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit” do të marrin pjesë 22 presidentë nga mbarë bota, në mesin e të cilëve nga rajoni do të jenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i Bullgarisë, Rumen Radev, Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Gjithashtu pjesë e ceremonisë do të jenë edhe 28 emra të nivelit të lartë si krerë qeveritarë dhe parlamentarë, në mesin e të cilëve do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa pjesë e ceremonisë do të jenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Gremonger, Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos dhe shumë të tjerë.