BFI: Kundërshtojmë ashpër transformimin në muze të Jeni xhamisë

Sonte në Manastir “Jeni Xhamia” është shndërruar në muze i krishterizmit dhe islamit, përcjell Shenja. Në lidhje me këtë vendim ka reaguar Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut.

Ja reagimi i plotë i BFI-së:

BASHKËSIA FETARE ISLAME E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

RIJASETI

Nr: 03-696

Data: 21.11.2024

Për:

Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Kristijan Mickoski, Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti

Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Lutkov

Entin dhe Muzeun Kombëtar të Manastirit

Përfaqësitë diplomatike në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Tema: Letër me qëllim të mirë

Me shqetësim të thellë morëm vesh që xhamia e Manastirit është shndërruar në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”. E konsiderojmë të papranueshme që të mos konsultohet Bashkësia Fetare Islame për një projekt të tillë, as të kërkohet pëlqimi ynë për realizimin e tij.

Në interes të të gjitha palëve të përfshira, dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me këtë ide, duke pasur parasysh edhe Ligjin për Dekomunizimin e vitit 1990, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Bashkësia Fetare Islame ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët myslimanë të Manastirit si një vend adhurimi.

Shteti, konkretisht Ministria e Kulturës dhe institucionet kulturore të Maqedonisë së Veriut, kurrë nuk e kanë përmbushur këtë kërkesë legjitime të Bashkësisë Fetare Islame dhe për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galerinë e Arteve”. Tani, pa miratimin e Bashkësisë Fetare Islame, Enti Kombëtar dhe Muzeu i Manastirit po e transformojnë Xhaminë Jeni në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”.

Bashkësia Fetare Islame e konsideron të domosdoshme ruajtjen dhe promovimin e frymës së tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit fetar dhe kulturor.

Ne, si përfaqësues të myslimanëve, kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për shndërrimin e Xhamisë Jeni në “Muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me këtë proces.

Ftojmë institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar.

Historia shtatë shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut, dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët myslimanë të vendit tonë.

Në respekt të ndërsjellë të të drejtave dhe ndjenjave fetare të të gjithë qytetarëve, apelojmë për arsyeshmëri dhe për ndërprerjen e kësaj iniciative.

Shpresojmë që kjo letër të kontribuojë për ruajtjen e bashkëjetesës dhe paqes, si vlera të çmuara të vendit tonë.

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu