Biden paralajmëron Rusinë për Ukrainën

Presidenti Joe Biden u zotua të premten se do ta bëjë “shumë, shumë të vështirë” për Presidentin rus Vladimir Putin që të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainë, duke thënë se administrata e tij po përpilon një sërë iniciativash për të ulur agresionin rus.

Presidenti e bëri këtë paralajmërim për Presidentin Putin, ndërsa ekziston një shqetësim në rritje për shtimin e pranisë së forcave ruse në kufirin me Ukrainën dhe retorikën gjithnjë e më agresive nga Kremlini.

“Ajo çfarë po bëj është përpilimi i një sërë iniciativash, që besoj se do të jenë më gjithëpërfshirëset dhe më domethënëset, për t’ia bërë shumë, shumë të vështirë zotit Putin që të avancojë me veprimet që njerëzit shqetësohen se ai do të ndërmarrë”, u tha gazetarëve Presidenti Biden.

Ka shenja se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini janë pranë zhvillimit të një bisede javën e ardhshme mes Presidentit Biden dhe atij rus Putin.

Presidenti Biden nuk dha detaje për veprimet që po shqyrton. Por, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili u takua të enjten me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Suedi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë ngritur mundësinë e sanksioneve të reja. Ai nuk dha detaje për këto sanksione të mundshme, por sugjeroi se kjo përpjekje nuk do të jetë efikase.

“Nëse na vijnë ‘sanksione nga ferri’ të reja, ne do të përgjigjemi”, tha zoti Lavrov. “Nuk mund të mos përgjigjemi”.

Dallimet e thella u bënë të dukshme gjatë takimit Blinken-Lavrov. Zyrtari rus akuzoi Perëndimin se “po luan me zjarrin” duke mos marrë parasysh qëndrimin e Rusisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që Ukraina t’i bashkohet NATO-s, e cila ka ruajtur mundësinë e anëtarësimit, por nuk ka përcaktuar një periudhë kohore për këtë.

Sekretari Blinken tha këtë javë se Shtetet e Bashkuara “ia kanë bërë të qartë Kremlinit se do të përgjigjemi me vendosmëri, përfshirë nëpërmjet një sërë masash të forta ekonomike, të cilat nuk i kemi përdorur në të kaluarën”.

Ai nuk dha detaje për sanksionet që po shqyrtohen, por një prej tyre mund të përjashtojë Rusinë nga sistemi bankar i transfertave financiare ndërkombëtare SWIFT. Parlamenti Evropian miratoi në prill një rezolutë pa fuqi ligjore për ta përjashtuar Rusinë nga sistemi SWIFT nëse forcat ruse hyjnë në Ukrainë.

Një lëvizje e tillë do të kishte efekte të thella duke nxjerrë bizneset ruse jashtë sistemit financiar global. Mendohet se aleatët perëndimorë e kanë shqyrtuar ndërmarrjen e një hapi të tillë në vitin 2014 dhe 2015, gjatë përshkallëzimeve të mëparshme të tensioneve për Ukrainën.

Në atë periudhë, Kryeministri i atëhershëm rus Dmitry Medvedev tha se veprimi do të ishte i barazvlefshëm me “shpalljen e luftës”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu