Bilall Kasami: Nëse s’ka barabarësi – Maqedonia nuk mund të ketë qetësi

Bilall Kasami bashkë-themeloi dhe drejton Besën, një prej partive të reja politike shqiptare etnike të Maqedonisë. Besa, e cila në anglisht përkthehet “oath”, synon të sigurojë më shumë të drejta dhe respekt për shqiptarët etnikë në Maqedoni.

E themeluar në fund të vitit 2014, Besa është vetëm një vit më e vjetër sesa partia tjetër etnike shqiptare, Lëvizja për Reformë – Partia Demokratike e Shqiptarëve, LR-PDSH, e udhëhequr nga Ziadin Sela.

Lëvizja BESA  ju premton votuesve një alternativë të re për përfaqësimin e shqiptarëve etnikë në Maqedon, për dallim prej, Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI.

Kasami pretendon se BDI, një anëtare e vogël e koalicionit qeverisës, dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve e opozitës, PDSH, kanë dështuar për t’i shërbyer bazës së votuesve të tyre, duke i akuzuar ata se po funksionojnë pak më shumë si korporata private që i shërbejnë interesave të udhëheqësve të tyre, respektivisht Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit.

I lindur në vitin 1975 në Tetovë, një qytet në veriperëndim të Maqedonisë, Kasami studioi ekonomi në Universitetin e Shkupit dhe u diplomua në vitin 2000. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kasami më pas punoi si asistent profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup deri në rikthimin e tij në politikë në vitin 2014.

Ai thotë se u ndje i detyruar të rikthehej në politikë, duke pretenduar se shqiptarët etnikë ishin poshtëruar, sepse financimet dhe investimet, thotë ai, bëheshin për popullsitë me shumicë maqedonase.

“Ripërcaktimi i Maqedonisë”

Kasami thotë se Besa nuk ka një strukturë klasike drejtuese partiake, por ajo mbledh bashkë një grup njerëzish që kanë një rol të barabartë në qeverisjen e saj dhe janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të luftuar atë që ata e përshkruajnë si diskriminim të gjerë kundër shqiptarëve etnikë.

Ai është i vendosur pas qëllimit ambicioz të “ripërcaktimit” të Maqedonisë në mënyrë që ajo të bazohet, thotë ai, në parimet e sundimit të ligjit, demokracisë dhe lirisë.

Kasami këmbëngul se Maqedonia mund të funksionojë në bazë të konsensusit, duke mos lejuar kështu që një grup i vetëm etnik të fitojë shumë pushtet.

“Vetëm atëherë shqiptarët mund të fitojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive dhe ky është qëllimi kryesor i partisë,” tha Kasami për BIRN.

Lideri i Besës thotë se Maqedonia funksionon si një shtet mono-etnik dhe se institucionet e saj nuk e pasqyrojnë realitetin multi-etnik të vendit. Sipas Kasamit, më shumë se 40 për qind e popullsisë është e përbërë nga grupe të ndryshme etnike ndryshe nga maqedonasit.

“Ne nuk mund të tolerojmë më gjatë që zyrat më të rëndësishme shtetërore të mbahen ekskluzivisht vetëm nga komuniteti maqedonas,” thotë Kasami.

Për sa kohë sa poste të larta politike si ai i presidentit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, ministrit të brendshëm, atij të financave dhe ministrit të jashtëm nuk janë mbajtur kurrë nga shqiptarët etnikë, Kasami beson se Maqedonia do të përballet me një krizë të thellë politike çdo 10 ose 15 vjet.

Megjithatë, Kasami thekson se “ripërcaktimi” i vendit nuk mund të arrihet brenda natës dhe se çdo ndryshim drejt një qeverisje të bazuar në konsensus, do të jetë rezultat i një procesi afatgjatë që përfshin shumë debat dhe dialog.

“Në kohë paqeje, nëpërmjet dialogut midis komuniteteve, duhet të diskutojmë dhe debatojmë – nëse duam që Maqedonia të jetë një shtet funksional dhe koheziv – ajo duhet të ripërcaktohet si një shtet multi-entik dhe kjo duhet të reflektohet në sovranitetin dhe simbolet e shtetit. Ose nëse e ripërcaktojmë atë si një shtet qytetar, kjo duhet të reflektohet në emrin e shtetit, simbolet shtetërore dhe institucionet shtetërore,” thotë ai.

“Rishikoni Marrëveshjen e Ohrit”

Kasami beson gjithashtu se është koha për të riparë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur midis rebelëve shqiptarë dhe forcave maqedonase të sigurisë.

Marrëveshja i dha më shumë të drejta shqiptarëve etnikë që përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë prej 2,1 milion banorësh të vendit.

Ndërsa e përshkruan Ohrin si një marrëveshje që i dha shqiptarëve të drejta të plota, Kasami thotë se 15 vjet më vonë ajo ende nuk është zbatuar siç duhet dhe se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është përkeqësuar që nga viti 2001.

Ai thotë se Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua nën presion gjatë konfliktit të armatosur dhe se ka ardhur koha të krijohet një marrëveshje e re paqeje.

Kasami beson se shqiptarët përballen me diskriminim jo vetëm në aspektin e mbajtjes së roleve politike të nivelit të lartë, por edhe në dështimin për të njohur shqipen si një nga gjuhët zyrtare të vendit – krahas asaj maqedonase – në nivel qendror qeveritar.

Aktualisht, gjuha shqipe njihet dhe përdoret vetëm në institucionet e pushtetit lokal në zona me shumicë popullsie shqiptare.

Besa do gjithashtu të shohë simbole të tjera – si flamuri dhe himni kombëtar – të reflektojnë karakterin multi-etnik të vendit.

Përveç kësaj, Kasami thotë se zonat me shumicë shqiptare etnike kanë infrastrukturën më të keqe – madje u mungon edhe uji i pijshëm – sesa zonat me shumicë maqedonase.

“Vetëm 500 metra nga qendra e Shkupit keni një komunë me një popullsi kryesisht shqiptare, e cila është një geto në mes të kryeqytetit,” thotë ai.

Skandali i përgjimeve

Kasami është rikthyer në politikë në kohë të turbullta, jo shumë kohë Partia Social Demokratike e opozitës publikoi në fillim të vitit 2015 një seri të atyre që ajo pretendon se ishin biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme.

Social Demokratët, të udhëhequr nga Zoran Zaev, pohojnë se rreth 20,000 maqedonas – përfshirë zyrtarë dhe politikanë të lartë – janë përgjuar ilegalisht nën mbikëqyrjen e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Ata këmbëngulin se përgjimet përmbajnë prova inkriminuese kundër shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe mashtrimin e dyshuar të zgjedhjeve dhe abuzim të sistemit të mediave dhe të drejtësisë.

Skandali solli një krizë të thellë politike në vend, me Shkupin që pret të mbajë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në dhjetor.

Votimi deri më tani është shtyrë dy herë për shkak të shqetësimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë se Maqedonia nuk ishte ende gati për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gruevski dha dorëheqjen si kryeministër në janar 2016, por ai hedh poshtë akuzat për përgjime dhe mohon çdo shkelje ligji, duke pretenduar se përgjimet “u krijuan” nga agjenci të huaja pa emër dhe më pas iu kaluan opozitës.

Prokurorja speciale Katica Janeva u emërua shtatorin e kaluar për të hetuar akuzat për shkelje ligji dhe korrupsion në lidhje me bisedat e përgjuara.

Kasami i ka portretizuar vazhdimisht liderin e BDI-së Ahmeti dhe kreun e PDSH Thaçin si shërbëtorë të Gruevskit, duke pretenduar se përgjimet tregojnë se ata nuk janë të aftë t’u  kërkojnë llogari zyrtarëve.

“Skandali i përgjimeve tregon se dështimi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve është rezultat i regjimit të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE që ka kapur liderët politikë shqiptarë,” tha ai për BIRN në maj.

“Të rinjtë shqiptarë duan barazi”

Kasami pretendon Besa është zgjeruar shpejt për t’u bërë partia e dytë më e madhe brenda komunitetit shqiptar të Maqedonisë në më pak se dy vjet. Ai thotë se tani ajo po i afrohet BDI-së.

Partia është formuar kryesisht nga intelektualë të rinj, të cilët kanë studiuar në vendet perëndimore. Si e tillë, Kasami beson se ata do të jenë më mirë në gjendje për të zhvendosur balancën e pushtetit në Maqedoni pasi ata nuk janë të prekur, thotë ai, nga ndonjë lloj kompleksi inferioriteti.

“Ata duan të jenë më në fund të barabartë përsa i takon të drejtave dhe përgjegjësive. Vetëm në këtë mënyrë Maqedonia të jetë në gjendje të jetë një shtet i Bashkimit Europian,” tha ai gjatë të njëjtës intervistë në maj.

Besa nuk iu shmang as pyetjeve mbi çështjet tepër polemike, përfshirë të ashtuquajturin gjyqin e Mostrës që përfundoi me dënimin me burgim të jashtëm të 6 shqiptarëve etnikë pasi u gjetën fajtorë për vrasjen e pesë peshkatarëve.

Partia e re këmbëngul se gjyqi ishte një kurth politik dhe Kasami i bëri thirrje lideri të Partisë Social Demokratike Zaev të publikojë të gjitha materialet që partia e tij ka marrë nga skandali i përgjimeve.

Zaev fillimisht premtoi se do ta bënte këtë, por me vonë u tërhoq nga publikimi i regjistrimeve në lidhje me këtë çështje, duke cituar frikën se kjo gjë do të mund të shkaktonte dhunë. Ai tha se të gjitha materialet që kishin lidhje me përgjimet i janë dorëzuar ekipit të prokurorisë që po heton çështjen.

Partia gjithashtu mori pjesë në një marshim të mbajtur më 9 maj për të shënuar përvjetorin e parë të përleshjeve të armatosura në verilindje të qytetit të Kumanovës, ku mbetën të vdekur 10 shqiptarë të armatosur dhe tetë policë.

Më shumë se 30,000 njerëz iu bashkuan marshimit në Shkup që u organizua nga Këshilli Opozitar dhe Besa. Protestuesit bënë thirrje për krijimin e një gjykate të veçantë ku të dëgjohen çështje të profilit të lartë ku përfshihen shqiptarë etnikë.

Shkaqet e gjakderdhjes në Kumanovë mbeten të paqarta, por në atë kohë Gruevski tha se shkëmbimi i zjarrit ishte pjesë e një plani të qëllimshëm për të destabilizuar vendin duke sulmuar forcat shtetërore të sigurisë.

Megjithatë, partitë opozitare shqiptare dhe disa vëzhgues, përfshirë Zaevi, shprehën dyshimin se autoritetet në fakt po përpiqeshin të shpërqendronin publikun nga kriza politike në vend duke organizuar trazira etnike.

Partia VMRO DPMNE e Gruevskit i ka mohuar me vendosmëri akuzat./BalkanInsight.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu