Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë ndërtimi dhe asfaltimi i tetë rrugëve të reja në vendbanimet e kësaj komune.
Në një postim në rrjetet sociale, Sejdiu theksoi se pavarësisht kritikave, puna për përmirësimin e infrastrukturës do të vazhdojë.
“Dembelët dhe të këqinjtë kanë një qëllim: Që çdoherë t’i ‘shajnë’ ata që punojnë! Ndërsa ne që duam të punojmë, këtyre tipave ju themi: ‘Po edhe pa ju ska kuptim jeta, dikush duhet të bëjë zhurmë’”, shkroi ai.
Një nga projektet kryesore që po realizohet është edhe rruga Pallaticë – Tetovë, për të cilën kryetari Sejdiu tha se po punohet intensivisht për finalizimin e saj.
Ky investim infrastrukturor pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e lëvizjes për banorët e komunës së Zhelinës.