Nga: Janusz Bugajski
Nën sundimin e Presidentit Aleksandar Vuçiç, Serbia po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të imitojë Rusinë. Ajo kërkon të jetë fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor dhe po kopjon ideologjinë “Bota Ruse” të Putin për një “botë serbe,” më të vogël. Por problemi për Beogradin është i dyfishtë: axhenda e tij ekspansioniste do të hasë në rezistencën e të gjithë fqinjëve të tij dhe atë të agjencive ndërkombëtare, ndërsa përpjekja për “madhështi” do të bëjë që Serbia të jetë gjithnjë e më e varur nga përllogaritjet e Moskës.
Në axhendën e tij Bota Ruse (Russki mir), Kremlini shpall detyrimin për të mbrojtur të gjithë rusisht-folësit ose personat e lindur në Bashkimin Sovjetik dhe pasardhësit e tyre. Kjo përfshin të drejtën për të ndërhyrë në punët e shteteve fqinje dhe madje edhe nevojën për pushtim dhe copëzim, kinse për të mbrojtur rusisht-folësit, siç u dëshmua në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë.
Në versionin e “vëllait të vogël” serb – Srpski Svet – i cili u shpall kohët e fundit nga Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin, të gjithë serbët kanë të drejtë të jenë të bashkuar dhe të jetojnë po bashkë në një shtet. Beogradi pretendon të drejtën për të mbrojtur serbët në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Përveç ndërhyrjes politike në emër të tyre, kjo nënkupton zgjerimin e ushtrisë së saj për të siguruar interesat serbe përmes pushtimit ushtarak. Ashtu si rusët, serbët janë portretizuar si viktima të përvuajtura, të cilët fuqitë e huaja po komplotojnë t’i asimilojnë ose eliminojnë.
Serbia e Vuçiçit sillet ndaj Rusisë si një vëlla i respektueshëm, duke e konsideruar “vëllain e saj të madh” si një udhëheqës të fortë dhe të mençur që mund të ndihmojë më të riun të arrijë ambiciet e tij rajonale. Por nën këtë vëllazëri sipërfaqësore, Kremlini po manipulon Beogradin për t’i shërbyer interesave të tij gjeopolitike përmes një marrëdhënieje të pabarabartë, të bazuar në varësi të katërllojshme: diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe politike.
Serbia i është nënshtruar diplomatikisht Rusisë dhe Beogradi është përbetuar për besnikëri ndaj Moskës. Në mesin e veprimeve të tjera të nënshtrimit, qeveria është zotuar se kurrë nuk do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të BE-së se Serbisë i duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit, në rast se e do seriozisht anëtarësimin. Ndryshe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, Serbia nuk iu bashkua embargos perëndimore ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë prej Ukrainës ose arrestimit të udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny. Beogradi me sa duket nuk e shikon Ukrainën si një shtet vëlla sllav dhe është i lumtur nga eliminimi i disidentëve politikë.
Vuçiç i detyrohet pafundësisht Putinit për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe për refuzimin që të njohë pavarësinë e saj. Kryetari i parlamentit Ivica Daçiç e ka cilësuar Rusinë si aleatin më të mirë të Serbisë, që i ruan “integritetin territorial” dhe e mbron atë në forume ndërkombëtare. Krejt ndryshe nga qeverisja e nënshtruar aktuale, komunisti Tito, në fakt, e pati kundërshtuar Moskën dhe i pati rezistuar me sukses Stalinit. Madje edhe Millosheviçi e pati ruajtur pavarësinë prej Rusisë dhe pati shfrytëzuar Jelcinin në avantazhin e vet, kundër fuqive perëndimore.
Varësia ekonomike e Serbisë nga Rusia vazhdon të rritet, veçanërisht në fushën e energjisë. Në janar 2021, Beogradi nuk i përfilli thirrjet e SHBA-së për të ulur varësinë e tij nga energjia ruse dhe për të diversifikuar furnizimin. Përkundrazi, ai nisi një ndërlidhje të re gazi përmes Bullgarisë dhe Turqisë, me një pjesë prej 400 kilometrave të gazsjellëses TurkishStream (Rrjedha turke) për gazin rus. Serbia varet pothuajse tërësisht nga furnizimi i energjisë ruse dhe kjo e shton kontrollin e Rusisë mbi shtetin.
Në frontin ushtarak, Serbia po ndjek komandat e Kremlinit. Moska është e prerë që të mos tolerojë asnjë lëvizje të Serbisë drejt anëtarësimit në NATO. Serbia po i jepet formë si të ishte një vendondodhje ushtarake e jashtme e Rusisë dhe po e armatos me aeroplanë luftarakë, tanke dhe sisteme kundërajrore. Për Putinin, Serbia ofron një mundësi të vlefshme për të nxitur konflikte dhe madje për të shkaktuar përplasje të armatosura në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Bjellorusia dhe të fshehë trazirat në rritje në Federatën Ruse. Në një moment të caktuar, Vuçiç mund të nxitet ose provokohet drejt një konfrontimi ushtarak me pretekstin e mbrojtjes së “botës së vogël serbe” dhe madje mund t’i drejtohet “botës më të madhe ruse” për ndihmë.
Varësia e qeverisë së Vuçiç nga mbështetja politike e Moskës është gjithashtu në përshkallëzim. Mbështetja që Kremlini i jep grupeve të ndryshme nacionaliste dhe ndikimi i tij i gjerë në hapësirën e informacionit të Serbisë synon ta mbajë Vuçiçin nën kontroll. Grushti i shtetit në Mal të Zi, në tetor 2016, ishte një përpjekje për të larguar qeverinë pro-NATO të Podgoricës si dhe një sinjal për Vuçiç se Kremlini mund ta zëvendësojë atë, në rast se largohet nga orbita ruse. Duke iu dorëzuar Putinit në çdo fushë kryesore, Serbia, në fakt, është bërë një viktimë e vullnetshme e politikave të Moskës.