Burri që deshi të shesë shtëpinë e tij

Një burrë, deshi të shesë shtëpinë e tij, me qëllim që të transferohet në një shtëpi tjetër më të mirë. Ai vajti tek një mik ekspert në çështjet e marketingut dhe pasturive të patundshme edhe i kërkoi ndihmë për të shitur shtëpinë. Duke qenë se miku i tij e njihte shtëpinë, i shkroi një njoftim joshës për çdo blerës. Në tabelë, ai shkruante mbi karakteristikat e shtëpisë, pozicionin e saj, hapësirat, lulishten, pishinën etj. Mandej, miku ekspert ia tregoi tabelën pronarit të shtëpisë, i cili teksa lexonte rreshtat shprehte interes dhe nuk fliste fare. Në fund, pronari i kërkoi mikut të tij t’ia lexojë edhe një herë gjithçka që kishte shkruar dhe ashtu ndodhi. Teksa dëgjonte, pronari tundte kokën në shenjë pohimi. Në fund, ai heshti për një çast, mandej iu drejtua mikut të tij: Të lutem grise fare këtë tabelë! Unë ndërrova mendje dhe nuk dua ta shes shtëpinë!

Miku i tij shtangu në vend dhe nuk dinte ç’të bënte. Përse ndryshoi mendje? Mos kishte diçka që nuk shkonte në njoftimin për shitje të shtëpisë? Kjo situatë konfuzioni nuk zgjati shumë, pasi pronari i shtëpisë shtoi: Gjithë jetën time kam ëndërruar për një shtëpi me karakteristikat që lexova në njoftimin dhe reklamën tënde. Në fakt, një shtëpi e tillë është e mrekullueshme. Nuk e dija se kam jetuar në një shtëpi të ngjashme, vetëm pasi lexova përshkrimin tënd.

Mbi gjemba ka trëndafila

Një thënie e lashtë thotë: ”Numëroji bekimet dhe të mirat që të ka dhënë Zoti, shkruaji një e nga një dhe do të shohësh se je më i lumtur se më parë!” Për vetë faktin se i shohim telashet me bezdi dhe gjithë ankesa, harrojmë ta falënderojmë Zotin për të mirat që kemi në duar.

Një i mençur ka thënë: ”Ankohemi se Zoti ka vënë poshtë trëndafilave gjemba, në vend që ta falënderojmë se sipër gjembave ka vënë trëndafila.” Kurse një tjetër thotë:”U lëndova dhe dëshpërova shumë kur e pashë veten të zbathur, pa këpucë. Por e falënderova Zotin pa masë kur pashë dikë tjetër pa këmbë.” Lipset që herë pas here ti kujtojmë vetes sa të shumtë janë njerëzit të cilët ëndërrojnë të kenë të mirat dhe privilegjet tona.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu