Bytyqi: Dora e shtrirë për një marrëveshje ngelet dorë e shtrirë

Ndryshimet kushtetuese nuk do të vendosen në votim derisa nuk sigurohen numrat, deklaroi nënkryetari i LSDM-së Fatmir Bytyqi në emisionin Click Plus në TV21. Por sipas tij, kjo do të ndodh së shpejti ngaqë procesi i skriningut është drejt përfundimit. Megjithatë Bytyqi nuk tregon se cila është mënyra që do të bindin deputetët e opozitës të mbështesin ndryshimet në kushtetutë.

A mund të jetë një nga mënyrat që pushteti të bëj pazar me votat në këmbim të rikthimit të Nikolla Gruevskin në vend? Bytyqi tha se është i gatshëm për të mirën e vendit të pajtohet me kushtet që i shtrohen.

“Unë jam i pari që do të ulet të flet për pajtim, nëse rezultati i atij pajtimi mund të sjell të ardhme më të qartë për shtetin dhe gjeneratat e ardhshme, të cilat duhet të jetojnë këtu.

Përfshirë edhe rikthimin e Gruevskit, përfshi apo jo? Po, po, por pajtimi nuk do të thotë amnisti. Pajtimi mund të jetë zbutje e dënimit deri në njëfarë mase. Por… Jo falje të veprave…Absolutisht”, tha Fatmir Bytyqi – nënkryetar i LSDM-së.

Kryeministri i parë shqiptar ngelet pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI, por Bytyqi lë të kuptohet se nuk është e thënë që kryeministri të jetë vetëm nga radhët e partisë së Ahmetit. Ai nuk përjashton mundësinë dhe thotë se do ta pranonte detyrën nëse propozohet për këtë detyrë.

“Mund të zhbëhet vetëm me një marrëveshje të re në mes të dy kryetarëve të dy partive që e kanë bërë këtë marrëveshje. Dora e shtrirë për një marrëveshje ngelet dorë e shtrirë dhe mbetet që në 100 ditët e fundit të ketë kryeministër shqiptar”, pohoi Fatmir Bytyqi – nënkryetar i LSDM-së.

Në Click Plus u fol edhe për propozimin e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e dy palë zgjedhjeve për një ditë, të atyre presidenciale dhe parlamentare. Ai tha se partia e tij këtë ide nuk e mbështet, sepse siç shtoi, duhet të mësohemi që mandatet të zgjasin deri në fund.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu