Çerkezi një javë pa rrymë, banorët bllokojnë rrugën: EVN na shkatërroi

Banorët e Çerkezit të Kumanovës sot që në mëngjes kanë bllokuar rrugën e vjetër Kumanovë – Shkup, në shenjë revolte pasi që kompania energjetike EVN Maqedoni për më shumë se një javë i ka lënë pa energji elektrike, informon INA.

Protesta ka nisur nga ora 7 e mëngjesit duke bllokuar çdo lëvizje drejt Shkupit dhe Kumanovës. Organizatorët të revoltuar thonë se për protestën kanë siguruar lejen, ndërsa kërkojnë që të ndërpritet ky terror që po i bën EVN Maqedoni.

“Na morën në qafë. Edhe ushqimet e dimrit na shkatërruan. Nuk kanë mëshirë”, theksuan banorë të fshatit. Protesta ka të bëjë kundër vendosjes së orëmatësve në rrugët e këtij fshati.

Ata kërkojnë nga EVN që menjëherë ta zgjidhë problemin e energjisë elektrike dhe ky fshat të furnizohet me energji sa më shpejtë, në të kundërtën protesta do të radikalizohet.

Banorët e fshatit Çerkez të Kumanovës theksojnë se EVN Maqedoni i ka gjunjëzuar dhe mezi po mbijetojnë. Ata së fundi janë të revoltuar nga faturat e larta që mezi po i përballojnë.

“Është shkelje e të drejtave njerëzore dhe pabarazi sociale në këtë shtet. Ke një ndihmë sociale prej 2500 denarëve me 3 anëtarë familje dhe minimumi i minimumit duke shkyçur gjithçka paguajmë 2000 – 3000 denarë rrymë në muaj. Me çka të jetojmë, me çka të ushqehemi. Më mirë atë ndihmë sociale duhet tja çojnë drejt në konto EVN-së”, thekson një banor i këtij vendbanimi.

Banorët hedhin poshtë akuzat e EVN-së se në fshat ka instalime ilegale të energjisë elektrike. Sipas tyre, hajnat e vërtetë janë vetë EVN.

“Rrjeti elektrik në fshat është vendosur me kontributin tonë, deri sa nuk ndërhyjnë këta. Njëherë ata kanë ndërmarrë hapa për ndryshimin e matjes së rrymës, tash iu ka prij mendja të bëjnë një mënyrë tjetër se ata po na vjedhin rrymën. Jo ne nuk e vjedhim rrymën, por hajdutët e vërtetë janë ata. Nëse ata nuk kanë besim tek ne, pse neve t’i besojmë atyre”, tha një banor tjetër.

Protestat nuk do të ndalen derisa drejtuesit e EVN-së nuk zhvillojnë takim me banorët.

Nga kompania EVN disa muaj më parë përmes një përgjigje për mediat kanë theksuar se për shkak të problemeve që konsumatorët kanë me orë-matësit, po bëhet rikonstruimi i tyre, projekt ky i cili sipas tyre, kap vlerën e 1 milion eurove. Por banorët thonë se me vetëkontributin e tyre me dekada të tëra kanë riparuar rrjetin, kanë blerë trafostacion të ri në pjesën qendrore dhe se për gjithçka kanë paguar shërbimet e EVN që i merrë për çdo dalje në terren. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu