Çështja e përdorimit të gjuhëve dhe statusi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë

Në opinionin shkencor ndërkombëtar botërisht është pranuar se gjuha shqipe me alfabetin e saj latin është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, së bashkë me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik. Këtë e dëshmojnë shumë dokumente zyrtare dhe burime të shkruara, si Enciklopedia Britanika. (Fjalori enciklopedik Britanika, botimi në gjuhën maqedonase, Shkup, 2005, f. 26).

Megjithatë, statusi i gjuhës shqipe në këtë vend nuk është rregulluar siç duhet, për vetë faktin se, me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe edhe më tej trajtohet si çështje e pakicave kombëtare, e cila vjen si rezultat i mos zgjidhjes së statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni; për shkak të reduktimit të kësaj të drejte të shqiptarëve autoktonë për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të njësive të vetëqeverisjes lokale, ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, si dhe për mungesë të vullnetit politik në vend për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje dhe, sidomos për shkak të pengesave nga organet e pushtetit në zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Si është definuar kjo çështje me kushtetutë dhe me ligj, në vazhdim paraqesim një vështrim të shkurtë për rregullimin e kësaj të drejte të shqiptarëve në Maqedoni.

 Konventat ndërkombëtare për përdorimin e gjuhëve

Dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare, të cilat Republika e Maqedonisë i ka ratifikuar, ose pritet t’i ratifikojë janë:

Marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, të cilën Republika e Maqedonisë e ka ratifikuar, në nëntor të vitit 1997. Kjo Konventë garanton të drejtën e përdorimit të gjuhëve të „çdo anëtari të një pakice konkrete kombëtare“, edhe atë: në sferën private, sferën publike, formën me shkrim, formën me gojë dhe përdorimin e lirë të gjuhës pa pengesa. Për sa i përket implementimit të kësaj Konvente kornizë, duhet pasur parasysh se krahas obligimeve që rrjedhin prej saj, korniza juridike në Republikën e Maqedonisë përmban obligime shtesë, dhe me këtë tejkalon standardet ndërkombëtare për sa i përket të drejtave dhe përdorimit të gjuhëve të bashkësive joshumicë të përcaktuara me këtë Konventë. („Gazeta zyrtare e RM“, nr. 11/97).

Gjithashtu, Karta Evropiane për gjuhët rajonale dhe gjuhët e pakicave është nënshkruar nga Republika e Maqedonisë dhe e njëjta pritet të ratifikohet.

Çështja e përdorimit të gjuhëve sipas Kushtetutës së vitit 1991

Me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, të sjellë nga Kuvendi republikan, më 17 nëntor 1991, çështja e përdorimit të gjuhës zyrtare, me këtë edhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj, ka qenë e rregullohet siç vijon:

,,Neni 7

Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

Në njësitë e vetëqeverisjes lokale, në të cilat si shumicë jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Në njësitë e vetëqeverisjes lokale, në të cilat në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive, në kushte dhe në mënyrë të përcaktuara me ligj.” (Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, 17 nëntor 1991, Shkup).

 Çështja e përdorimit të gjuhëve pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001

 Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e vitit 1991, është zëvendësuar me Amendamentit V, pika 1, të përfshirë në ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, si rezultat i Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe obligimeve që dolën prej saj.

Amendamenti ku rregullohet përdorimi i gjuhëve është amendamenti V, i cili plotësisht i është dedikuar përdorimit të gjuhëve, në të cilin thuhet:

  • Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.
  • Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren kryesore të pushtetit qendror, e cila do t’i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.
  • Lidhur me pushtetin vendor në komunat ku bashkësia e caktuar përbën të paktën 20 për qind e popullatës së komunës, gjuha e asaj bashkësie do të përdoret si gjuhë zyrtare, në mënyrë plotësuese maqedonishtja. Në raport me gjuhët, të cilët flasin të paktën 20 për qind të popullës së komunës autoritetit lokale në mënyrë demokratike do të vendosin për përdorimin e saj në organet publike.
  • Në procedurat penale dhe qytetare gjyqësore të cilitdo nivel, personi i akuzuar ose cilado palë do të ketë të drejtë të përkthimit në shpenzim të shtetit të të gjitha procedurave, si dhe të dokumenteve në pajtim me dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.
  • Cilat do dokumente personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga maqedonishtja, po ashtu do të lëshohen në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në gjuhën maqedonase në pajtim me ligjin.” (Marrëveshja kornizë e Ohrit, Shkup, 13 gusht 2001, Kreu Çështja e Arsimimit dhe përdorimit të gjuhëve, pikat 4, 5, 6, 7 dhe 8).

Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001, në nenin me të cilin rregullohet çështja e përdorimit të gjuhëve në Republikën Maqedonisë, thuhet:

,,Neni 7

Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen. Dokumentet personale të shtetasve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj në pajtim me ligjin. Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetëqeverisjes lokale përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.” („Gazeta zyrtare e RM”, nr. 91/01).

Ligji për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale

Në pajtim me nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, më 4 gusht 2008, Kuvendi republikan solli ligj të veçantë për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë: Ligji për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Siç tregon edhe vetë titulli i ligjit, me këtë rregullohet përdorimi i gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në nivel të shtetit dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku numri i pjesëtarëve të një bashkësie etnike të caktuar është së paku 20% nga popullata e përgjithshme.

Sferat të cilat i përfshin ky ligj, respektivisht ku duhet të aplikohen dispozitat për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë janë: Kuvendi republikan; komunikimi i qytetarëve me ministritë dhe organet e administratës shtetërore; procedurat gjyqësore; procedura administrative; ekzekutimi i sanksioneve; Avokati i Popullit; procesi zgjedhor; shprehja e drejtpërdrejtë e qytetarëve; dhënia e dokumenteve personale të qytetarëve; mbajtja e evidencës amzë; aplikimi i autorizimeve policore; veprimtaria radiodifuzive; objektet infrastrukturore; vetëqeverisja lokale; financat; ekonomia; arsimi dhe shkenca; kultura; dhe në sfera të tjera dhe institucione në përputhje me këtë ligj. (,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 101/08).

Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase

Për gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, përveçse me kushtetutë, kjo çështje është rregulluar edhe me ligj të veçantë: Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, i sjellë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, më 30 janar 1998, si dhe Ligjet e mëvonshme për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.

Në Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, thuhet:

,,Neni 2

Gjuha maqedonase është pasuri shpirtërore me interes të veçantë historik dhe kulturor për Republikën.

Përdorimi i gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare është e drejtë dhe obligim i qytetarëve të Republikës.”

Ndërsa në nenin 4 të këtij ligji thuhet:

,,Neni 4

Me këtë ligj nuk kufizohet e drejta e pjesëtarëve të nacionaliteteve për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit të nacionaliteteve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe ligjin.”

Sipas këtij ligji, gjuhës maqedonase në këtë shtet i jepen përparësi të veçanta, përmes të cilave kufizohet dukshëm përdorimi i një gjuhe tjetër si gjuhë zyrtare në këtë shtet, siç është përcaktuar me nenin në vazhdim:

,,Neni 5

Gjuha maqedonase, përveç përdorimit në organet e pushtetit shtetëror, në organet e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe qytetit të Shkupit, përdoret edhe në: – shoqatat tregtare, ndërmarrjet, institucionet dhe personat tjerë fizik, të regjistruar në Republikë; – emërtimet, reklamat dhe pllakatet e personave juridik; – emërtimet dhe udhëzimet e prodhimeve, ilaçe, etiketa, fatura dhe të ngjashme; – llogaritë, vërtetimet dhe informatat tjera të ambalazhit të prodhimeve, ilaçeve dhe të ngjashme; -shënjimit të vendeve publike; – mbishkrimet në mjetet e transportit publik dhe objektet publike;- titullimit, përkatësisht sinkronizimit të filmave dhe emisioneve në gjuhë të huaj, të cilat shfaqen publikisht; – titullimi, përkatësisht sinkronizimi i incizimeve në gjuhën maqedonase që nuk është në pajtim me nenin 1, alineja 2, e këtij ligji, e që emitohen në mënyrë plotësuese; – marrëveshjet ndërkombëtare dhe akte të tjera ndërkombëtare që i lidh Republika, si dhe raste të ngjashme. Përjashtimet sipas alinesë 1 të këtij neni rregullohen me ligj.” („Gazeta zyrtare e RM“, nr. 98/05, 89/08, 116/10 187/13 dhe 152/15).

 Përfundime

 Çështja e statusit të gjuhës shqipe dhe e përdorimit zyrtar të saj duhet të zgjidhet në përputhje me realitetin etnik, historik dhe kulturor në këtë shtet, që nënkupton zgjidhje politike të drejtë, rregullim me përcaktim të saktë përmes dispozitave kushtetuese, pa lënë hapësirë për interpretime ndryshe sipas qasjeve të politikës ditore.

Kjo mund të arrihet vetëm me ndryshime të reja kushtetuese, ku do të përcaktohej saktë dhe qartë statusi juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve, si popull konstitutiv në Republikën e Maqedonisë.

Përveç kësaj, siç është praktikë edhe në shumë vende të tjera të botës, kjo çështje duhet në mënyrë plotësuese të zgjidhjet edhe përmes një ligji përkatës, Ligjit për përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, siç është vepruar me sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, në Republikën e Maqedonisë.

Për mendimin tonë, janë dy alternativa të mundshme për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje, edhe atë:

  1. Gjuha shqipe dhe alfabeti i saj të përdoren në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, si gjuhë e dytë zyrtare, jo të përdoret si gjuhë përkthimi, vetëm në formën e shkruar të saj në dokumente; dhe
  2. Gjuha shqipe dhe shkrimi i saj të përdoret si gjuhë e parë zyrtare në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë në nivel të njësive të vetëqeverisjes lokale, ndërsa përkrah saj edhe gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik të përdoret si gjuhë zyrtare e shtetit.

Çdo zgjidhje tjetër për këtë çështje nuk është e drejtë, nuk e pasqyron realitetin faktik, etnik, historik dhe kulturor, nuk i përmbush nevojat e shoqërisë në këtë shtet dhe nuk është në frymën e vlerave fundamentale të demokracisë dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu