Keratokonusi është sëmundje e syve që shfaqet zakonisht në moshën e moshat e reja 14- 24 vjeç. Paraqitet si ulje progresive e shikmit dhe rritje e numrit të syzeve. Pacientët e moshave të reja dhe aktive për punë, student apo që qëndrojnë gjatë para ekraneve elekronike, paraqesin vështirësi në shikim, ndërrojnë shpesh numrat e syzeve por nuk ndihen komod me to.
Këto janë shenjat e para të cilat duhet të na bëjnë të dyshojmë për praninë e sëmundjes së keratokonusit. Topografia korneale 3 dimensionale është ekzaminimi që na vjen në ndihmë për të diagnostikuar herët keratokonusin.
Keratokonusi është një çrregullim jo-inflamator, degjenerativ i syrit, në të cilin ndryshimet strukturore në brendësi të kornesë (xhamit të syrit), shkaktojnë hollimin dhe deformimin e saj duke rezultuar në një formë jo të rregullt të kornesë, e shndërrojne atë në konike dhe sjellin si pasojë çrregullimin e pamjes. Dobësia është e lokalizuar në fijet e indit lidhor (kolagjenit) në brendësi të kornesë.
Cross-linking korneal me Riboflavin (Vitaminë B2), është një trajtim jo-invaziv, i cili është shumë efikas në forcimin e strukturës së dobët korneale në keratokonus. Kjo metodë vepron duke shtuar lidhjet e fibrave të kolagjenit (indit lidhor), të cilat janë “spirancat” natyrale në brendësi të kornesë. Këto spiranca janë përgjegjëse për fortësinë e brendshme të kornesë, prandaj në këtë mënyrë parandalojnë deformimin e mëtejshëm të kornesë dhe uljen e cilësisë së pamjes.