Pasojat e fitores në Aleppo
Sulmi ndaj ambasadorit rus në Ankara, vjen në një kohë kur siguria, diplomacia dhe inteligjenca kryqëzohen. Le të shohim pikat kryesore. Së pari; boshti Rusi-Iran-Siri sapo ka fituar betejën e Aleppo-s, një sukses që ka pasoja të forta për rebelimin sirian. Një zhvillim i madh u bë i mundur me ndërhyrjen vendimtare të Moskës, por edhe nga qëndrimi turk, që ‘eliminoi’ një pjesë të kryengritësve për ndjekur qëllimet e tyre. Të shtënat kundër diplomatit mund të jenë një hakmarrje e përgjakshme (dhe një pjesë e parashikueshme). Raportet paraprake duket të përqendrohen në këtë lidhje.
Trekëndëshi Moskë-Ankara-Teheran
Jemi në vigjilje të dy mbledhjeve të rëndësishme të fokusuara tek Siria që do të mbahen në Moskë: do të marrin pjesë rusët, iranianët dhe turqit. Për shumë janë takime që do duhet të vendosin të ardhmen e konfliktit sirian. Një akt i promovuar nga Kremlini dhe që ka gjetur aprovim edhe nga Ankaraja dhe Teherani. Pastaj sigurisht gjithsecili ka agjendën e tij të veçantë. Ka hapësirë për provokime dhe manovra. Jo çdo gjë është koherente në Lindjen e Mesme.
‘Llogaria’ e hapur e ISIS
Territori turk strehon elementë xhihadistë të lidhura me Shtetin Islam por edhe grupet e Kaukazit-guerile që e konsiderojnë Rusinë si armikun e tyre kryesor. Edhe një pjesë e grupit të Al Kaedës ka qenë gjithmonë në luftë me Moskën. Për të kujtuar, ISIS ka marrë tashmë përsipër aktin e rrëzimit të avionit rus në Siani.
Turqit kishin frikë prej kohësh nga aksione të tilla. Kjo për shkak se vendi ishte goditur nga sulme të ndryshme duke e rritur pasigurinë dhe angazhimin e policisë në shumë fronte (ISIS, separatistët kurdë, tensionet e brendshme). Dhe spastrimet që nisi Erdogan pas përpjekjes për grushtin e shtetit – që sipas disave – kanë dobësuar mbrojtjen. Natyrisht më e çuditshme është se i dërguari rus nuk kishte mbrojtjen e duhur. Në muajt e fundit, Turqia ka miratuar marrjen e masave për të shmangur surpriza. Për shembull, sa herë që një anije ruse kalon në Bosfor për të çuar ndihma ushtarake në Siri, është shoqëruar me një procedurë “të rreptë”. Masat urgjente janë marrë pas paralajmërimeve të lëshuara nga Moska, për një rrezik të mundshëm të sulmeve në Turqi.
Njësoj si konflikti izraelo-palestinez?
Në Turqi janë vrarë eksponentë të shumtë të diasporës çeçene. Vrasje që i janë atribuuar shërbimeve të diktatorit Kadyrov por edhe elementëve të angazhuar nga Moska. Një objektiv vrasjesh që ka eliminuar figura të rëndësishme në Stamboll si pjesë e një fushate më të gjerë. Rreziku është që beteja që po ndodh në teatrin sirian të rrjedhë kudo, një riprodhim i asaj që ndodhi në mes të izraelitëve dhe palestinezëve në vitet ’70-’80. /GUIDO OLIMPIO/corriere/BW