Propozimi i BDI-së që të propozojë Talat Xhaferrin për kryetar Kuvendi ka habitur opinionin shqiptar. Jo vetëm për shkak të kaluarës së Xhaferrit si oficer në JNA (Jugoslovenska Narodna Armija), por edhe për shkak të veprimtarisë së tij në Maqedoni dhe lidhjet e afërta me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Kur pritej se BDI-ja do të ndërrojë kahjen dhe të kthehet kah LSDM-ja në tentim që të mbetet në pushtet, Ali Ahmeti befasisht propozoi për kryeparlamentar një njeri të afërt me Gruevskin. Afërsinë me VMRO DPMNE-në, Xhaferi e ka dëshmuar gjatë periudhës kur ishte shef i grupit parlamentar të BDI-së, kur përkrahte të gjitha iniciativat e VMRO-së në Kuvend, përfshirë edhe buxhetet diskriminuese për shqiptarët. Por përveç afërsisë, opinioni publik dyshon se Xhaferri mund të jetë i kapur nga Gruevski për shkak të aferave të ndryshme të cilat nuk janë zbardhur asnjëherë por qëndrojnë si hipoteka në sirtarin e VMRO DPMNE-së dhe Prokurorisë Publike të Marko Zvërlevskit. Një rast i tillë është rasti i zgjedhjeve të vitit 2008, kur Talat Xhaferi u arrestua nga policia pasi u kap me pistoletë në vendvotim.
Në konferencë për shtyp lidhur me këtë rast, ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, atë kohë si përfaqësuese e Qeverisë VMRO-PDSH, njoftoi se Xhaferi është marrë në pranga nga policia për shkak të pengimit të procesit zgjedhor edhe atë me armë zjarri. “Sot para Gjykatësit hetues me padi penale do të nxirret një person i kapur dje, përndryshe kandidat në listën e BDI-së për deputetë”, deklaronte Jankullovska më 04.06.2008. Por pas koalicionimit VMRO-BDI që nga viti 2008 deri në vitin 2016, lënda e Xhaferrit nuk mori epilog dhe qëndron nëpër sirtarët e VMRO DPMNE-së. Prej këtu lindin dyshimet se Xhaferri është një nga figurat e shumta të BDI-së të cilët janë të kapur nga VMRO DPMNE-ja për shkak të lëndëve penale në sirtarët e gjykatave. Për këtë shkak, një pjesë e opinionit e përcolli me habi lajmin se Aleanca për Shqiptarët do të votojë për një figurë të dyshimtë si kryetar parlamenti.
http://62.162.77.57/ShowAnnouncements.aspx?ItemID=5394&mid=1367&tabId=358&tabindex=0