Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kritikoi forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Qipro për bllokimin e ndërtimit të një rruge në atë ishull në Detin Mesdhe, duke e vlerësuar atë veprim si “të papranueshëm” dhe sjelljen e forcave paqeruajtëse ndaj turqve qipriotë të njëanshëm.
Që nga viti 1974, Qiproja është ndarë në pjesën jugore, greke, që është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe në pjesën veriore, turke, e cila nuk njihet nga asnjë vend në botë përveç Turqisë, e cila atje ka 35 mijë ushtarë të saj. Forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara janë të vendosura në zonën tampon midis pjesëve veriore dhe jugore të ishullit.
Duke folur pas një takimi të kabinetit të tij, Erdogan tha se Turqia nuk do të tolerojë asnjë sjellje “të paligjshme” ndaj turqve qipriotë.
Pak ditë më parë, turqit qipriotë të zemëruar u përballën me grushte dhe këmbë me një grup paqeruajtësësh ndërkombëtarë, sepse ndaluan ndërtimin e një rruge përmes zonës tampon të kontrolluar nga OKB.
Sulmi ndodhi kur paqeruajtësit qëndruan në rrugën e punëtorëve të rrugës që ndërtonin një rrugë midis fshatit Arsos, në veri të ishullit dhe fshatit të përzier etnikisht të Pila, në zonën tampon midis të tretës veriore të okupuar të ishullit dhe jugut, pjesë e njohur ndërkombëtarisht e Qipros.