Kryeministri Zoran Zaev, mohon informacionet që u përhapën në opinion se do të bëhet rikonstruim më i gjerë i qeverisë. Ai tha se po bisedohet vetëm se si të përmbushet vendi që e la të zbrazur Arben Taravari.
“Po debatohet për mbushjen e vendit në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila mbeti e zbrazur nga kryetari aktual i komunës së Gostivarit, doktor Arben Taravari. Sepse të them të vërtetën fillimisht ai post iu dha Aleancës për Shqiptarët për shkak doktorit, Arben Taravari”, tha Zoran Zaev, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë.
Kryeministri tha se ky vend i është dhënë Aleancës për Shqiptarët vetëm për shkak të Taravarit, pasi që ai ka qenë i pranueshëm për Odën e mjekëve si dhe për personelin mjekësor në përgjithësi, deklaratë kjo që le hapësirë për të menduar se a do ta mbajë, apo jo Aleanca këtë post. Nga burime qeveritare, TV21 mëson se emri i Vullnet Feratit është refuzuar nga partnerët e koalicionit. Sipas të njëjtave burime, pikërisht për këtë çështje, kreu i BDI-së ka kërkuar të takohet disa herë me kreun e Aleancës, Ziadin Sela, por ky i fundit ka refuzuar takimet. BDI do ta kishte votuar një kandidat të Aleancës për këtë post, vetëm në rast se disa drejtori që aktualisht i udhëheqin kuadro të Aleancës, kalojnë nën kontroll të kuadrove të BDI-së. Ndryshime priteshin edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku sipas burimeve, ndërkombëtarët nuk janë të kënaqur me ecurinë e reformave, por kryeministri thotë që është i kënaqur nga puna e ministrit, Bilen Saliji, dhe se nuk mendon ta ndërrojë.
“Mund të them që jam i kënaqur nga puna e të gjithëve, përfshirë këtu edhe ministrin e drejtësisë”, shtoi Zaev.
Ankesa nga ndërkombëtarët ka edhe për punën e Ministrisë së Ambientit, me të cilën udhëheq Sadulla Duraku, por ajo është një nga ministritë më pak e rëndësishme për partitë që janë në pushtet, dhe nuk pritet ndryshime në udhëheqjen e këtij resori.