Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq mbrëmë në një paraqitje në RTS është pyetur se çfarë urdhëri mori ushtria serbe më 24 shtator, ditën kur ndodhi agresioni serb në Banjskë të Zveçanit.
Mojsiloviq shtoi se në mëngjesin e 24 shtatorit filluan të vijnë informacione për ngjarjet e të lënduarit, transmeton Indeksonline. Ai tregoi se u vendos kontakti me komandën e KFOR-it, u thirr një mbledhje, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes dhe drejtorët e agjencive.
“Kemi rënë në kontakt me komandantin e përgjithshëm, në bazë të propozimit për përdorimin dhe angazhimin e pjesëve të Forcave të Armatosura të Serbisë, ai ka pranuar dhe ka marrë një vendim, mua si shef i Shtabit të Përgjithshëm më është dhënë detyra. Të kontrollohet plotësisht Zona e Sigurisë Tokësore dhe të sigurohet linja administrative me dislokim parandalues me kapacitet të plotë nga forcat e Forcave të Armatosura të Serbisë. Ky është urdhri që Forcat e Armatosura të Serbisë e kanë marrë më 24 shtator”, ka thënë Mojsiloviq.
Ai thekson se ky urdhër nuk është i pazakontë dhe është në përputhje me ngjarjet në terren, me atë që kemi parashikuar, se kriza mund të kalojë dhe të përshkallëzohet.
Sa i përket situatës aktuale, Mojsiloviq tha se ajo është e qëndrueshme në kuptimin ushtarak, por si e tillë është e paparashikueshme dhe e rënduar.