Çiçko Ivani nga Tetova!

Nga Sulejman Mehazi

E njihni me siguri çiçko Ivanin të viteve 70-80-ta të shek. të kaluar, ju tetovarët e mi të moshuar. Të rinjtë nuk e njohin fare.

Ishte maqedonasi më i popullarizuar në qytetin tonë, artist i vërtetë. Njihej me atë harmonikën e tij të vogël që e mbante në xhep të palltos së zezë e të pa larë; palltoja e tij ishte e mbushur me shumë lloje dekoratash, sumbullash, figurash e simbolesh të ndryshme vënë në gjoksin e tij. Dukej plak, me flokë të gjata e me mjekrën e tij korb të zezë, tamam si një prift. Në atë kohë, më kujtohet si sot, filmi më i popullarizuar ishte “Sandokani”, film me shumë interes shihej në dy ish-kinematë e Tetovës, “Bratsvo” dhe “19 Noemvri”.

Pasi Sandokani ishte me mjekër e me flokë të gjata e çiçkoja i ngjasonte atij, për këtë shkak çiçkon e Tetovës ne fëmijët e thirrnim Ivan Sandokani. Kur dikush ishte i mërzitur e i brengosur, shkonte te çiçko Ivani, nxjerrte nga xhepi ca denarë, për ta argëtuar me atë harmonikën e tij fëmijërore.

Ivanit pasi i jepnin ca para, ai, nxirrte nga xhepi harmonikën, e kapte me të dy duartë e afronte dhe e puqte me buzët, i frynte duke nxjerrë zë të këndshëm muzikore. Me atë harmonikën e tij buzore, fëmijërore me frymosjen në buzë nxjerrte muzikën e të gjithave këngëve popullore të kombeve dhe kombësive të ish-jugoslavisë.

Më kujtohet si në ëndërr, kur njëri e pagoi mirë e i tha çiçko Ivanit që t’i frynte shqip, i gëzuar për të hollat që mori, e t’ia nisi aq bukur t’i frynte “Shotes”, sa që të gjithë që ishin aty nisën të luajnë vallen e bukur të “Shotes” më pas “Rroka mandolinën”, “Shahe mori shoqe” e shumë këngë të tjera që s’më kujtohen. Në kohën e atëhershme të komunizmit ishte më simpatiku maqedonas për ne shqiptarët.

Ishte i varfër e i pa martuar, po urtësia e tij i përvetësonte të tjerët; me pamjen e veshjen karakteristike, mendoje se ky njeri është i ardhur nga ndonjë vend tjetër. Kur dikush e nënçmonte e luante me te, ai heshturazi këto ofendime i pranonte me buzeqeshje, me atë zërin e tij të pervuajtur e metalik thoshte: “Do më kërkoni ju mua, por nuk do më gjeni, vetëm unë i di këngët tuaja shqipe, askush prej maqedonasve në të ardhmen nuk do jetë si mua, Pas vdekjes sime do lindin shumë Gjorgjia e Ivana, po do të jenë armiq tuaj”.

Dhe vërtet doli ashtu siç thonshte Ivan Sandokani i atëhershëm. Ja pas dyzetë e sa viteve të kaluara dolën fjalët e Ivan Sandokanit i cili thoshte, “ani se sot jam i pavlefshëm, vlerën time do ta t’ma kujtojnë të tjerët pas vdekjes sime!”. Po të bëjmë një krahasim të Ivan Sandokanit të atëhershëm maqedonas, me këtë Kryetarin e Republikës së “hajdutistanit që ne i themi Maqedoni, pra, tetovarë të dashur, cili do të kishte autoritet apo vlerë për t’u bërë kryetar shteti, ai Ivani artisti, zemërmiri, apo ky i sotmi pseudopolitikani dhe zemerdreqi.

Ai që me harmonikën e tij buzore që aq bukur bënte muzikën e “Shotes”, “Rroka mandolinën”, apo kryetari i sotëm i Republikës së Maqedonisë që me politikën e tij është kundër këngëve dhe valleve tona popullore shqiptare?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu