Cili është qëndrimi i Ramës mbi Asosacionin? E thëna troç për çështjen e nxehtë

Në një fjalim të gjatë në parlament, duke dënuar Beogradin për ngjarjet në Banjskë, por dhe avokuar veten nga akuzat e ndryshme, kryeministri Rama u pozicionuar pro Asosacionit që sipas tij duhej formuar, si dhe faktit që veriu i Kosovës duhej të merrej nën kontrollin e plotë të KFOR-it.

Ai i mbrojti këto dy teza në emër të së ardhmes së Kosovës, që sipas tij, duhet të jetë fleksibël ndaj aleatëve perëndimorë.

“Ndërsa duke u bërë fakt i kryer, pikërisht ai Asociacion që mistifikohet përditë si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do të kthehet menjëherë në një litar në këmbët e Serbisë. Nëse Asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Uashingtonit, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim krejt të paarsyeshëm të një Asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës”, arsyetoi Rama, duke shtuar se vetëm kështu do shkohet drejt njohjes së Kosovës dhe nga pesë vendet e mbetura të BE-së, si dhe te një ulesë në OKB.

Ndërsa për kontrollin e veriut nga KFOR, arsyetoi: “Kufiri me Serbinë është katandisur në një rrjet të çarë kudo, ky hyjën armatime e drogë, ndërkohë që forcat ekzistuese të kufirit janë të pamjaftueshme.

Këtë e thonë vet udhëheqësit e lartë të Kosovës. KFOR e ka shprehur sa herë ka kërcitje pakënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës, sepse është e qartë nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet se nuk kemi bashkëpunim. Kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha ai.

Rama i përcolli mesazh Prishtinës me fjalët e Clintonit, çliruesit të Kosovës, me një paralele mes kësaj të fundit dhe çështjes palestineze.

“Presidenti Clinton më tha: ‘Thuaju miqve të mi në Prishtinë, të mos e humbasin shansin e madh të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman. Tregoju nga ana ime se si e humbi Jaser Arafati mundësinë e artë të paqes, kur e kishte mbi tavolinën e Zyrës Ovale dokumentin e marrëveshjes më të mirë që është shkruar ndonjëherë për zgjidhjen përfundimtare të atij konflikti, pak javë përpara se sa unë të lija Shtëpinë e Bardhë. Izraelitët thanë po, do ta firmosim. Edhe Jaser Arafati tha po, do ta firmos. Unë porosita të më bënin gati urdhrin për të filluar organizimin e ceremonisë së shumëpritur me dekada. Të nesërmen Arafati më mori në telefon dhe më tha, “Zoti President, ju keni bërë atë që askush nuk e ka bërë për Palestinën dhe marrëveshja është më e mira e mundshme, por unë nuk e firmos dot’”. u shpreh Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu