Shqiptarët duan sërish luftë. Këto janë kryetitujt e shtypit serb. Shkrimet plotësuese janë se 80 për qind e heroinës dhe drogës në Evropë eksportohet nga Kosova.
Deklarimet e fundit të krerëve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë acaruar politikën në Serbi. Kryeministri Aleksandar Vuçiç ka thënë se “Shqipëria e madhe” është vetëm një ëndërr. Ndërkohë që shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç ka kërkuar reagime ndërkombëtare.
Por e veçantë ka qenë deklarata e kreut të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, i cili nga Bujanoci trazoi Serbinë. “Shqiptarët e Serbisë duhet t’i bashkohen Kosovës dhe Shqipërisë, për këtë nuk ka dyshim”, është shprehur ai.
“Nuk ka kuptim bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, pa bashkimin e Kosovës lindore me to. E kam fjalën për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, thotë Jonuz Musliu, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, shkruan Top Channel.
Politikanët e tjerë të Luginës së Preshevës nuk e kanë komentuar një gjë të tillë. Por për Musliun nuk ka dyshime edhe për shkak të qëndrimeve indiferente të qeverisë në Beograd, ndaj banorëve të asaj zone.
“Beogradi nuk ka dashur të merret me shqiptarët. Atëherë shqiptarët duhet të bëjnë zgjidhje, e zgjidhja e vetme është rruga drejt Kosovës dhe Shqipërisë”, shprehet Jonuz Musliu.
Mbështetja e NATO-s në planin për luftë, për shtypin serb nuk mungon.
Zyrtarët serbë kërkuan reagimin e bashkësisë ndërkomëbtare për deklaratat e politikanëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, për të cilët thanë se janë kthyer në një kërcënim për rajonin. Ata thanë se mbështetja ndaj shqiptarëve nuk ekziston si në kohën e luftës dhe Serbia nuk do të heshtë. /albeu.com/