“Çmendet” Vuçiqi pasi që Kenia njohu Kosovën, dështoi edhe gruan e tij që e çoi për lobim

Serbia e ka konsideruar “akt armiqësor” njohjen e Kosovës nga Kenia, dhe ndaj kësaj ka paralajmëruar se do t’i marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike”.

Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë në një reagim.

Serbia u ankua se me këtë veprim, Kenia “e ka shkelur edhe Kartën e OKB-së”.

Kjo njohje, sipas MPJ-së së Serbisë “minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar”.

Serbisë i ka bërë përshtypje edhe fakti që Kenia i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si “të pabazuar”.

Në reagim u tha se vendimi i Kenias do të ndikojë në marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Serbia pretendon se në 8 vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë” së Kosovës, dhe se “vetëm dy shtete të reja kanë marrë vendim për njohje”.

“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë”, thuhet në reagim.

Në deklaratë thuhet se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj kundër Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare.

“Serbia mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, thuhet në fund të këtij reagimi.

Zbulohet skandali, Vuçiç çoi gruan në Kenia për të penguar njohjen e Kosovës

Por mediat në Kosovë kanë bërë të ditur se disa muaj më parë, presidenti i Serbisë ALeksandër Vuçiç kishte dërguar në Nairobi bashkëshorten e tij Tamara, si pjesë e një fushate diplomatike për të penguar njohjen. Vizita e saj nuk ishte paralajmëruar paraprakisht, gjë që nxiti më tej spekulimet se qëllimi i udhëtimit ishte pikërisht lobimi kundër njohjes së Kosovës. Vuçiq më pas mori pjesë në bisedime me kryeministrin kenian Musalia Mudavadi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, ku theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Kenias.

Përveç bisedimeve diplomatike, Serbia ka premtuar edhe ndihmë financiare për Kenian, duke përfshirë një donacion prej 150,000 eurosh për viktimat e përmbytjeve. Tamara Vuçiç ka vizituar edhe lagjen e varfër Mukuru në Nairobi, ku ka përcjellë mesazhin e “vullnetit të mirë” të presidentit serb. Gruaja e Vuçiqit ka kërcyer edhe me gratë vendase në Kenia.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu