Garancë për të ‘siguruar paqe’ në vend, sipas Nikolla Gruevskit- ish kryeministër dhe lideri i VMRO-DPMNE-së është sigurimi i 63 vendeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Frikën se humbja e Gruevskit mund të pësojë me luftë e zmadhojnë para qytetarëve të Maqedonisë edhe megafonët medial të VMRO-DPMNE-së. Këta të fundit mundohen ta bindin opinionin se pse është patriotike kërkesa Gruevski ndërsa shkojnë deri në atë pikë që thonë se nëse ka dygjuhësi shqiptarët do të shpërngulen dhe do ti përzënë maqedonasit që jetojnë në lindje të vendit, shkruan Portalb.mk.
Njohësit e rrethanave politike në vend e interpretojnë ndryshe kërkesën e Gruevskit për pushtet absolut.
“E para, ai është në telashe të mëdha me hetimet kundër tij dhe personave që e rrethojnë. Prej aty edhe vjen kjo retorikë e fortë dhe frikësim i popullit. E dyta, është ai vlerësimi se nacionalizmi mund të tubojë vota në tregun politik. Mbjellët bindja se maqedonasi është në rrezik nga ana e shqiptarëve. Dhe kështu, 25 vjet, tradicionalisht fitohen vota në këtë fushë. Kjo politikë është e papranueshme. Maqedonia duhet të marre kahje tjetër. Tani zgjedhjet do të jenë test. Do të shohim, sa shitet nacionalizmi në pazarin politik. Të shpresojmë se kërkesa ka rënë”, tha për Portalb profesori universitar Denko Maleski.
Sa i përket kërkesës së Gruevskit për 63 deputet, Maleski vlerëson se nuk u takon politikanëve të porosisin numrin e deputetëve.
“Ata duhet të marrin pjesë në një garë fer, në një shoqëri pluraliste. Në fund të zgjedhjeve do të shihet kush sa vende të deputetëve ka siguruar”, kujtoi Maleski.
“Kantonizimi ose siç e quan Zaev federalizimi, do të sillte ndarje territoriale në baza etnike, e cila sipas përvojave nga rajoni dhe Europa së shpejti do të rezultonte me luftë dhe shkëputje të kantoneve shqiptare nga Maqedonia dhe bashkimin e tyre drejt Kosovës”, kështu thuhet në njërin prej megafonëve të pushtetit dhe arsyetohet kërkesa e Gruevskit për 63 deputetë dhe lufta e tij për Maqedoni të paqshme me 63 deputetë.
Por si reflektohet kjo retorikë në kampusin shqiptarë? A ka mekanizëm që shqiptarët t’i përgjigjen kësaj retorike nacionaliste të Nikolla Gruevskit?
“Kësaj porosie shqiptarët duhet t’i përgjigjen. Sipas meje, duhet të deklarohen të gjithë liderët e partive shqiptare që marrin pjesë në këtë zgjedhje, në mënyrë decide se nuk do të koalicionojnë në një Qeveri të ardhshme me Gruevskin”, është kategorik në deklaratën e tij për Portalb analisti politik Ismet Ramadani.
Ai kujton se Nikolla Gruevski filloi dhe po vazhdon me retorikën e tij ku ka elemente të theksuara të nacionalizmit dhe fashizmit.
“Ai me vet faktin që kërkon 63 deputet, dërgon porosi deri të faktori shqiptar që nuk jeni ju ata që mund të më kushtëzoni për të realizuar konceptet e veta, pastaj dërgon porosi te ndërkombëtarët se këtu vendosin maqedonasit dhe ata që e përkrahin atë. Politika do të vazhdojë ashtu sic e ka konceptuar ai. Njëherit edhe porosi për opozitën maqedonase se ai është shpëtimtari i Maqedonisë. E gjithë kjo krijon nervozë të shumëfishtë te qytetarët, pavarësisht përkatësinë etnike”, tha për Portalb Ramadani.
Edhe analisti politik Ibahim Mehmeti mendon se kërkesa e VMRO-DPMNE-se ndaj elektoratit të saj që ta përkrahë për të siguruar 63 deputet, me të cilët gjoja da ta sigurojë stabilitetin e vendit, në fakt është thirrje për anashkalim të udhëheqësisë së kësaj partie nga përgjegjësia e iniciuar nga Prokuroria Speciale.
“Në të njëjtën kohë, kjo parti dhe lideri i saj përpiqen ta minimizojnë rolin e partnerit të domosdoshëm shqiptar në Qeveri, ashtu që të jetë në pozicion të mos varet nga votat shqiptare në Parlament dhe kësisoji të mund ta ulë nivelin e kërkesave të paralajmëruara nga partitë shqiptare. Ne rast se votuesit do t’ia plotësonin dëshirën e kësaj partie atëherë kam drojë se kriza aktuale jo qe nuk do të zgjidhet, por mund edhe të thellohet sepse dominimi i atillë i VMRO-së do të mund të rezultonte me ndërprerjen e proceseve ligjore dhe me masa ndëshkuese ndaj atyre që i kanë shpalosur keqbërjet e qeveritarëve të caktuar dhe kjo do të sillte deri te thellimi i mëtejmë i krizës”, theksoi Mehmeti.
Kujtojmë se Gruevski në retorikën e tij gjatë fushatës parazgjedhore nuk ka lënë pa e përmendur edhe funksionimin e Prokurorisë Speciale Publike. Sipas tij, secili që kërkon që të vazhdohet puna Prokurorisë Speciale Publike më shumë sa qëndron në marrëveshje, atëherë me ose pa vetëdije kërkon vazhdimin e krizës. Tendencë kjo tjetër për të frikësuar popullin./Portalb