Çokollata e Dubait shkakton “kaos” në Gjermani! Gjykata me vendim të prerë

Një gjykatë gjermane ka ndaluar një rrjet të supermarketeve të shesë një produkt si “çokollatë e Dubait”, duke theksuar se ëmbëlsirat e famshme mund të etiketohen si të tilla vetëm nëse vijnë nga Emiratet, përcjell TV21.

Gjykata në qytetin perëndimor të Këlnit (Cologne) vendosi që supermarketi “Aldi” nuk mund të shesë më “Alyan Dubai Handmade Chocolate”, pasi produkti në fjalë prodhohet në Turqi.

“Aldi” tha se vendi i prodhimit është qartësuar në etiketë, por gjykata erdhi në përfundim se emri i produktit mund t’i shtyjë konsumatorët të supozojnë “se produkti prodhohet në të vërtetë në Dubai dhe importohet në Gjermani”.

Rasti ishte ngritur nga importuesi gjerman i ëmbëlsirave “Andreas Wilmers”, i cili shet “çokollatën Dubai” që prodhohet nga kompania “Fix” në Dubai.

Në dhjetor, Wilmers parashtroi ankesa të ngjashme edhe kundër Lidl dhe ëmbëlsirës zvicerane Lindt, ankesa që janë ende në procedurë.

Lidl thotë se termi “çokollatë Dubai” i referohet thjesht një lloji të çokollatës me një mbushje kremoze me fëstëkë dhe “kadayif”, dhe jo me patjetër duhet të jetë çokollatë që vjen në mënyrë specifike nga Dubai.

Shoqata e Industrisë Gjermane të ëmbëlsirave (BDSI) gjithashtu argumentoi se “çokollata e Dubait” mund të prodhohej kudo në botë.

Gjykata në Këln nuk është dakord, por “Aldi” mund ta apelojë vendimin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu