Një nga justifikimet me të cilën është kundërshtuar arrestimi i Erjon Veliajt, është se shpenzimet marramendëse me vlerë qindra mijëra euro nuk u bënë nga ai vetë, por nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Ky arsyetim që tërthorazi ia lë peshën e fajit Ajola Xoxës dhe e lehtëson kryebashkiakun e Tiranës u hodh më së pari nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS.
“Kryetari i bashkisë nuk vesh fustane,-tha Rama,-nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi duhet të tregosh minimalisht fustanet dhe bizhutë, provat”.
Por në morinë faturave që janë nxjerrë nga kompjuteri i Ajola Xoxës dhe që janë siguruar nga Lapsi.al, rezulton se shpenzimet e Ajolës nuk ishin ndonjë sekret brenda familjes, siç aludojnë mbrojtësit e kryebashkiakut.
Në fakt nga disa fatura, rezulton se në janar të vitit 2015, kur Veliaj ishte Ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale ai ka qenë në një vizitë në Londër. Atje, përveç punëve të tjera, ka marrë një porosi me vlerë gati 1 mijë e 200 paund për të shoqen.
Shpenzimet janë regjistruar në dy fatura, ku shënohen këpucë, vathë, kremra, mbathje, funde etj.
Porosia ka pasur si destinacion dhomën 577 në hotel “Park Plaza westminster Bridge” (foto poshte) dhe mban emrin e Erjon Veliajt. Faksimile më poshtë:
Në faturën e parë, (faksimile lart) janë porositur disa lloje kremrash që variojnë nga 35 paund deri në 83 paund secili.
Por aty gjen edhe një palë këpucë të sheshta, të markës Jimmy Choo të përshtatshme për t’u veshur në mbrëmje Gala.
Çmimi i këpucëve është 375 paund pa llogaritur doganën. Në foton ilustruese më poshtë, modeli i këpucëve i korrespondon modelit të dorëzuar Veliajt në Londër:
Porositë që Veliaj kishte marrë nga e shoqja gjatë vizitës në Londër kushtojnë të dyja rreth 1 mijë e 200 paund, pa vlerën e doganës.
Shuma nuk është ndonjë ekzagjerim i çmendur, por shpenzime të tilla, Ajola Xoxa i kishte disa herë në muaj, sipas dokumentave që ka siguruar Lapsi.al. Janë të tilla blerje të njëpasnjëshme, që sipas SPAK kapën më pas në vlerën prej 860 mijë euro shpenzime në 4 vjet.
Duhet theksuar se porositë që Erjon Veliaj ka pritur për të shoqen nuk përbëjnë vepër penale. Madje përkushtimi që Veliaj ka treguar duke plotësuar dëshirat e të shoqes ndërsa qëndron në Londër, është për t’u përgëzuar.
Por pasi sheh këto fatura, duhet të jesh idiot të besosh alibinë e Edi Ramës se Erjoni nuk e dinte që gruaja e tij kishte maninë e blerjeve frenetike tek “Net-a-porter” për markat e luksit. Sepse në mesin e faturave që ka parë Lapsi.al ka veshje të Michael Kors, Victoria Beckham, Prada, Karl Lagerfeld, Dolce Gabbana, Viviene Westwood etj.
Vërtet këto fustane nuk i vishte Erjon Veliaj, por paratë për t’i blerë vinin nga pozicioni i tij si ministër dhe si kryetar i bashkisë së Tiranës. Nga këto pozita, Erjon Veliaj i jepte mundësinë Ajola Xoxës që të shpërdoronte qindra mijëra euro me fustane, këpucë dhe vathë, që kanë lënë me gojë hapur të madh e të vogël.