Nuk bëjmë kolaicion me parti, krerët e të cilëve janë të përfshirë në krim. Kështu deklaroi përfaqësuesi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani, gjatë debatit të mbrëmshëm në emisionin “Arena”. Ai tha se Lëvizja BESA nuk do të presë oferta, por do të mblidhet kryesia qendrore e kësaj lëvizjeje për të dhënë ofertën e saj, ku do të caktohen të gjitha kërkesat, kushtet, linjat e kuqe në bazë të të cilave do të kishin filluar bisedime.
“Në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë as të bisedojmë me parit politike, krerët e të cilëve dyshohen për përfshirje në krim dhe për keqpërdorim të detyrës. Parimisht, i bie të jemi të mendimit se VMRO-DPMNE dhe BDI ia kanë sjellë të keqen më të madhe edhe Maqedonisë si shtet, edhe shqiptarëve si komb”, tha Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.
Ndërkohë, kryetari i degës së Çairit i Lëvizjes BESA, Bekim Sali, tha se shqiptarët janë të gatshëm për të pasur një kryeministër shqiptar. Sipas tij, shqiptarët çdoherë kanë dëshmuar se janë për bashkëjetesë dhe se punojnë për të mirën e këtij shteti.
“Shqiptarët janë të gatshëm të kenë kryeministër shqiptarë. Mund të jetë si një nga kërkesa tona, mirëpo e shohim se te pala maqedonase nuk ka gatishmëri. Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të rrjedhin gjërat. Shqiptarët kanë dëshmuar se gjithmonë janë të gatshëm për bashkëjetesë për stabilitet në vend”, tha Bekim Sali.
Duke komentuar votat shqiptare që shkuan në konto të LSDM-së, Sali tha se kjo ka ndodhur për shkak se disa prej tyre kanë menduar se vetëm ajo parti mund t’i bëj ballë VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, por theksoi se pas zgjedhjeve, qytetarët kanë një pasqyrë më të qartë për forcën e opozitës shqiptare.
Abdulla Berisha /SHENJA/