Pjesa dërmuese e anëtarëve të degës dhe numri më i madh i nëndegëve të BDI-së në Tetovë jo vetëm që nuk do të asistojnë në logjistikë, por as edhe nuk do të dalin për të votuar bashkëpartiaken e tyre, Teuta Arifin. Vendimi vjen si pasojë e revoltës që kryetarja e deritanishme e Tetovës ka shkaktuar tek anëtarësia me veprimet e saj. Një fitore eventuale e Teuta Arifit është vlerësuar si rrezik për degën dhe forcim i klanit të Teuta Arifit dhe lidhjeve së saj personale dhe klanore me LSDM-në në Tetovë. Keqpërdorimet finansiare të cilat u publikuan ditëve të fundit kanë arritur kulmin e revoltës e cila siç sqarojnë anëtarë të kryesisë së degës, kishte filluar më herët me injorimin e strukturave lokale nga Arifi. Kandidatja e BDI-së për një mandat të dytë në Tetovë, ka injoruar degën dhe udhëheqësinë e degës si gjatë planifikimit të projekteve, ashtu edhe gjatë planifikimeve kadrovike. Drejtuesit lokal thonë se Arifi ka funksionuar si strukturë paralele në Tetovë duke injoruar totalisht degën zyrtare. Publikimi i skandaleve finansiare për të cilat dega dhe anëtarët nuk kanë pasur njohuri ka rritur edhe më shumë dyshimet se pas një fitore eventuale, Teuta Arifi vetëm se do të forcojë “klanin” e saj personal dhe lidhjet politike dhe biznesore me LSDM-në dhe persona të kësaj partie. Kjo do të nënkuptonte paralizim dhe injorim total të degës zyrtare të partisë, si dhe vetë aktivistëve, anëtarëve dhe drejtuesve të degës dhe nëndegëve të BDI-së në Tetovë./Rajoni.net