Deklaratat e Albin Kurtit alarmojnë zyrën e Marko Gjuriqit

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Serbi, ka deklaruar sot se “nuk do të realizohet ëndrra e Albin Kurtit- kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, që ta shohë Kosovën të bashkuar me Shqipërinë”.

“Garanci për mos realizimin e ëndrrës së tillë është populli serb, sepse Kosova dhe Metohia është krahinë e Serbisë”, thuhet në kumtesën e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, e cila udhëhiqet nga Marko Gjuriq.

Siç thuhet në kumtesë, të cilën e transmeton Tanjugu, “njeriu (Kurti) që pretendon të udhëheq Kosovën, nuk do të duhej t’i lejonte vetës të bëjë deklarata të papërgjegjshme për ndryshimin e kufijve në Ballkan, sepse një gjë e tillë do të shkaktonte kthimin e rajonit në një gjendje jo stabiliteti dhe konflikti”, transmeton Telegrafi

“Në qoftë se Kurti vërtetë mendon ashtu siç propozon, atëherë ai nuk mund të jetë alternativë e arsyeshme e të ashtuquajturit ‘koalicion i luftës’ në Kosovë dhe Metohi, sepse ai që paralajmëron se do të angazhohet për bashkimin e Kosovës me një shtet tjetër, është një promovues i hapur i konfliktit”, thuhet në kumtesë.

Agjencia serbe e lajmeve citon se “themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ‘bashkimi i Kosovës me Shqipërinë’ do të mbetet njëri nga qëllimet kryesore të tij”. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu