Deklaratat e Ramës tensionojnë marrëdhëniet me Greqinë, Athina letër ankese në PE

Marrëdhëniet me Greqinë sa vijnë dhe tensionohen. Teksa u duk se me vizitën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, situata do të ndryshonte, deklaratat e ditëve të fundit të kryeministrit Edi Rama i kanë hedhur më tej benzinë zjarrit. Gjatë Samitit të Diasporës, kreu i qeverisë foli dy herë për marrëdhëniet me Greqinë, duke bërë një deklaratë tepër të fortë, teksa tha se qeveria shqiptare nuk do të heshtë më përballë Athinës. Por kjo ka krijuar reagime të forta në qarqet greke, pasi qeveria atje dhe opozita kanë nisur hakmarrjen. Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, qeveria greke ka dërguar një shkresë në Parlamentin Evropian. Kreu i grupit të SYRIZA në PE, Dimitris Papadimoulis, i ka dërguar një shkresë kreut të Parlamentit Evropian, ku shpreh shqetësim sa i takon zbatimit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Duke u bazuar dhe në progres-raportin e Komisionit Evropian, eurodeputeti grek ankohet se janë mbajtur qëndrime të gabuara. “Nuk ka asnjë progres, si në miratimin e legjislacionit në harmoi me Bashkimin Evropian, si dhe zbatimin e tij, sa i takon lirisë së shprehjes, zbatimit të të drejtës së pronës, luftës ndaj krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimit të klimës të të bërit biznes”, shprehte ai në letrën drejtuar Parlamentit Evropian. Më tej, kërkohet që PE t’i bëjë thirrje qeverisë të marrë masa në këto fusha sa i takon sidomos luftës ndaj korrupsionit. Shkresa e tij do të thotë se Greqia paralajmëron kushtëzim të integrimit të vendit, pasi vë në pah faktin se nuk është pranuar aspak në këto fusha.

Thirrje për mbledhjen e Këshillit për Politikën e Jashtme

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama kanë sjellë një reagim akoma më të ashpër në radhët e opozitës greke. Partia Demokracia e Re ka kërkuar të mblidhet urgjentisht Këshilli për Mbrojtjen dhe Politikën e Jashtme dhe të diskutojë për deklaratat e kryeministrit Edi Rama. Kjo parti i ka cilësuar shumë serioze ato që ka thënë Rama dhe për këtë arsye ka kërkuar të merren masa. Pritet që ky këshill të mblidhet në ditët në vijim. Nëse kjo ndodhë atëherë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë në ditët më të këqija, pasi ai mblidhet në raste shumë të rralla dhe kur vërtet ka kërcënim për vendin, si në rastin e deklaratave të kryeministrit Erdogan, i cili deklaroi se shumë ishuj janë të Turqisë. Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme i Demokracisë së Re, Jorgo Kumucakos, tha se Këshilli Kombëtar duhet të diskutojë më imtësisht marrëdhëniet me Shqipërinë. “Të gjitha këto deklarata të rënda dëshmojnë për një shpërthim të vazhdueshëm nacionalizmi nga ana e shqiptarëve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të cilësohet si një veprim i izoluar”, tha ai. Sipas deputetit grek, deklarata e ditëve të fundit e Edi Ramës se Shqipëria nuk do të heshtë më, janë dëshmi e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërkohë, shefi i qeverisë pritet që të shkojë në Greqi, por jo për të zhvilluar takime por do të flasë në mediat greke sa i takon bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu