Demantohet BDI, Shkupi zyrtar i ka dërguar telegram urimi institucioneve të Kosovës për 17 vjetorin e Pavarësisë

Kabineti i Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ka përgënjeshtruar kategorikisht pretendimet e Bashkimit Demokratik për Integrim të publikuar më 18 shkurt 2025, ku thuhet se autoritetet e RMV-së nuk kanë lëshuar dhe dërguar telegram urimi për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Sipas praktikës diplomatike, kryetarja e Siljanovska-Davkova më 17 shkurt 2025, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, i dërgoi një letër-festim homologes së saj, presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Siljanovskës, përcjell INA.

Më tej thuhet se është e papranueshme që BDI-ja përmes lajmeve të pavërteta dhe mos verifikimit të informatave dhe nxjerrjes së gjetjeve të pabaza, po tenton të dëmtojë reputacionin dhe besueshmërinë e kryetares Siljanovska-Davkova.

Nga kabineti i Siljanovskës thonë se forcimi i marrëdhënieve dhe konfirmimi i tyre dëshmohet edhe me pranimin e ftesës dhe pjesëmarrjes së presidentes në pritjen solemne me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që mbahet sonte në Shkup nga Ambasada e Kosovës.

Kabineti i presidentes ka publikuar telegramin e urimit drejtuar Prishtinës zyrtare, interes të informimit objektiv të publikut dhe për të mos lejuar që qytetarët të manipulohen.(INA)

BDI: Shkupi zyrtar nuk uroi Kosovën për 17 vjetorin e pavarësisë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar përmes një komunikate për media për mosrespektimin dhe mos urimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e presidentes, kryeministrit dhe ministrit të MPJ-së.
BDI thonë se ky veprim është lëshim diplomatik, pasi Millorad Dodiku i Republikës Srbska u prit me nderime shtetërore, mirëpo askush nuk u kujtua për një urim për Kosovën.
Nga BDI thonë se ky veprim po dëmton marrëdhëniet miqësore RMV-Kosovë.
Reagimi i plotë:
Harruan Kosovën, Nderuan Dodikun – Cili Është Mesazhi i Qeverisë?
Me keqardhje dhe shqetësim të thellë konstatojmë një veprim të papranueshëm që ndodhi këtë vit – për herë të parë, institucionet e shtetit, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, nuk dërguan një urim zyrtar publik me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ky veprim nuk është vetëm një lëshim diplomatik, por edhe një sinjal i drejtpërdrejtë që minon frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
Në të njëjtën kohë, me të gjitha nderimet shtetërore, u prit në vendin tonë Milorad Dodik – një figurë politike e njohur për qëndrimet e tij destruktive ndaj proceseve euroatlantike dhe parimeve të stabilitetit rajonal.
Kjo mospërputhje e qartë në trajtimin e shteteve fqinje dërgon një mesazh shqetësues për drejtimin e politikës të shtetit tonë.
Një sjellje e tillë është pasojë e ndikimit në rritje të konceptit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut – një projekt që përbën kërcënim për sovranitetin, perspektivën evropiane dhe interesat strategjike të shtetit.
Promovimi i kësaj ideologjie në dëm të marrëdhënieve miqësore me Kosovën është i papranueshëm dhe i dëmshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu