Dënime me kusht prej tre muajve për drejtorin e ndërmarrjes publike komunale të Tetovës, Xhelal Ceka si dhe 3200 euro gjobë me para për ndërmarrjen publike komunale Tetovë. Ky është vendimi i gjykatës themelore të Tetovës dhe të Apelit nga Gostivari.
“Me vendimin e gjykatës së apelit, aktvendimi i shkallës së parë është ndryshuar në pjesën e sanksionit penal për personin juridik, Ndërmarrja publike komunale Tetovë, ndaj së cilës tani është shqiptuar dënim në para prej 200 mijë denarëve. Këtë dënim personi juridik është i detyruar ta paguajë në afat prej 30 ditëve pas pranimit të aktvendimit në fuqi. Në të kundërtën, dënimi i shqiptuar në para, do të realizohet me detyrim. Ndërsa për personin përgjegjës XH.C është shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre muajve, dënime të cilat nuk do të zbatohen nëse të akuzuarit në afat prej 1 viti pas hyrjes në fuqi të aktvendimit nuk bëjnë vepra të reja penale”, thanë nga Prokuroria themelore publike.
Sipas informatave të Alsat M, kryetarët e komunave të rajonit të planifikuar të Pollogut duhet të marrin vendim sesi do ta zgjidhin problemin komunal. Nga Komuna e Tetovës edhe pse kërkuam nuk morëm asnjë përgjigje për atë se çfarë plani kanë për ballafaqim me problemin shumëvjeçarë me deponimin e mbeturinave komunale.