Tekstet shkollore në gjuhën shqipe të botuara me gabime të ndryshme, si edhe mbishkrimet e ndryshme nëpër institucione e rrugë, mes tjerash, janë rezultat i mungesës së lektorëve të licencuar. Përpjekjet për formimin e një komisioni për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe dështuan për shkak se gjuha shqipe nuk specifikohet me Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe nuk mbrohet me ligj. Madje nuk ka as katedër të veçantë të lekturimit në gjuhë shqipe, në kuadër të Fakulteteve Filologjike në vend.
Ndërsa njohësit e çështjes thanë për Portalb.mk se nëse do të kishin dashur, deputetët shqiptarë të Maqedonisë kanë pasur mundësi ta rregullojnë këtë punë në Kuvend.
Me Kushtetutën e Maqedonisë përcaktohet se pos gjuhës maqedonase gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20% e popullsisë, pa e specifikuar “Gjuhë shqipe”.
Nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni (ITSHKSH) Bukurije Mustafa sqaroi për Portalb se në Maqedoni nuk mund të bisedohet për lektorë të licencuar të gjuhës shqipe.
“Nëse dikush e kryen punën e lektorit nuk kemi të bëjmë me lektorë të licencuar, sepse nuk jepet licencë për lektorë të gjuhës shqipe në Maqedoni” u shpreh Mustafa.
Mustafa rikujtoi se në dhjetor të vitit të kaluar përfaqësuesi i Institutit ka pasur takim me Ministrin e atëhershëm të arsimit. Pra ka pasur vullnet për formimin e një komisioni për dhënie të licencave të lektorëve të gjuhës shqipe. Megjithatë ky takim dështoi, për shkak të pengesave ligjore, siç theksoi “Duhej të bëheshin ndryshime ligjore, por nuk e di se sa kanë fuqi për të bërë ndryshime ligjore, pasi besoj se kjo nuk është aq e thjeshtë”.
Sa për krahasim, gjuha maqedonase është juridikisht e mbrojtur. Madje me Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase parashihet gjobë deri në 200 mijë den. (rreth 3, 300 euro) për personat juridikë që publikojnë dokumente të shkruara të pa-lekturuara.
Ndërkohë që sipas Mustafës, mungesa e lektorëve shqiptarë vërehet gjithandej, si: gabimet në tekstet shkollore, në provime a në dokumentet personale. Sipas saj, gabimet në tekstet shkollore në veçanti, janë gabime të mëdha sepse informatat si të tilla përcillen në gjeneratat e ardhshme.
“Duhet të vetëdijesohemi se nuk mund të lejojmë që as një tekst të botohet pa pjesën e lektorëve”-theksoi Mustafa, “Nëse nuk fitojmë mbrojtje ligjore të gjuhës shqipe, nuk mund të kërkojmë të mos përsëriten gabimet.”
Bajram Pollozhani nga ana tjetër tha për Portalb se deputetët shqiptarë kanë mundur ta shfrytëzonin shumicën e dyfishtë dhe të bllokonin votimin e ndonjë ligji, në këmbim me ndonjë ligj që do të ishte në dobi të shqiptarëve, por nuk e kanë bërë këtë. Ata madje edhe mund të ndërhynin në Kushtetutë, në rastet kur u inicuan ndryshime kushtetuese në Kuvend.
Dekani i Fakultetit Filologjik në UT, Fatmir Sulejmani konfirmoi se mungon katedër e posaçme e lekturimit, se një gjë e tillë është e nevojshme dhe se në programet e ardhshme do të inkuadrojnë një lëndë në kuadër të katedrës së gjuhës shqipe.
“Është e vërtetë se aktualisht nuk ekziston në UT një program i posaçëm studimor për lektorë, po i tillë mund të jetë çdo kuadër i mirë që kryen Albanologjikun. E them me përgjegjësi se lektorët më të mirë që kemi, janë profesorët e Gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kuptohet, kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi dhe nevojë për një katedër të veçantë, ose për një apo dy lëndë që do të lidhen me aftësimin e studentëve që do të punonin si lektorë profesionistë” tha Fatmir Sulejmani.
“Patjetër ta them se ideja juaj është e mirëseardhur, ndaj, meqë UT është e hapur për ide të reja, në programet e ardhshme do ta/i akreditojmë gjithsesi edhe lëndën/t e lekturimit” shtoi ai.
“Për sa i takon nevojës për lektorë profesionistë, ajo është tejet e madhe” theksoi Sulejmani.