E përjavshmja në gjuhën maqedone “Fokus” në numrin e saj të fundit shkruan për gënjeshtrën në biografinë zyrtare të një deputeteje të partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Deputetja nga Struga, Nora Ismajloska-Starova ka shënuar në biografinë e saj se ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup .
Nga hulumtimet e gazetares së “Fokus” rezulton se deputetja Starova jo vetëm që nuk ka diplomuar por semestri i fundit i regjistruar është ai i katërti, ose ndryshe viti i dytë i studimeve, edhe atë në vitin akademik 2005/2006.
Deputetja e partisë nacionaliste maqedone, e lindur në vitin 1985 ende nuk ka reaguar ndaj shkrimit të “Fokus” e cila pretendon se të dhënat i ka marrë nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë.