Nga Blendi Fevziu –
Kosova dhe Shqipëria kanë dështuar në rastin Haradinaj. Kjo është më e paktë që mund të thuhet, ndërkohë që lideri i AAK – së, ndodhet prej disa ditësh në një burg të zakonshëm francez. Përtej postimeve në facebook dhe përtej patetizmit folklorik të liderëve politikë dhe qytetarëve të thjeshtë, duket se të dy vendet kanë qenë të papërgatitura për një histori të tillë. Një histori që i ndodhi Haradinajt, por që mund t’i ndodhte secilit prej ish luftëtarëve të UÇK – së në Kosovë.
Veç gjithë pikëpyetjeve që historia ndërthen në vetvete dhe që janë përmendur në një editorial më parë, ka një seri problemesh të tjera që tregojnë që gjërat nuk funksionojnë në thelb dhe jo në detajet e tyre.
E para, Kosova duhej të kishte kishte parandaluar skenarë të ngjashëm duke kushtëzuar krijimin e Gjykatës Speciale madje edhe bisedimet me Serbinë më anullimin e urdhërarresteve të lëshuar ndër vite, më shumë politikisht se sa juridikisht. Gjykata Speciale është votuar nga të gjithë; ajo ka mandat të plotë dhe supozohet të jetë asnjanëse. Vetë Serbia, nëse ka prova të tjera, duhej t’i drejtohet asaj, duke konsideruar si rrugën më të mirë dhe të drejtë të vënies në vend të drejtësisë për luftën e Kosovës. Nëse për Haradinajn ka argumentatë tjerë përtej atyre të vitit 2004, gjykuar dy herë në Hagë, atëherë Sërbia le ti drejtohet Gjykatës Speciale. Haradinaj dhe asnjë politikan Kosovar nuk do ta refuzojë gjykimin atje.
Në këtë kontakst edhe Shqipëria duhej të kishte ushtruar pjesën e saj të presionit diplomatik ndaj Serbisë duke i kërkuar anullimin e urdhërarresteve dhe gjykimin e personave të akuzuar nga një palë e tretë dhe e besueshme si Gjykata Speciale.
E dyta, Kosova dhe Shqipëria duhej të kishin sqaruar dhe të kishin bërë ç’është e mundur që Interpol të mos i shpërndante urdhërarrestet. Kjo vlen për shumë raste kur mandat arrestet janë konsideruar politike, ose të lëshuar ndaj disidentëve të regjimeve totalitare. Pra ka një praktikë të njohur dhe të zbatuar nga interpol prej vitesh. Vetë Interpol, e madje edhe Franca, kanë refuzuar të zbatojnë po këto mandate gjatë konferencës së Rambujesë, por edhe më vonë. Në këtë kontekst, kanë një precedent edhe me mandatin e vetë Haradinajt.
Së fundmi, diplomacia e Kosovës, duhet t’i kërkojë Francës zbatimin e rregullave dhe normave ndërkombëtare. Ramush Haradinaj është deputet, ai është i pajisur me pasaportë diplomatike, e cila parashikon sipas konventës së Vienës të 18 Prillit 1961, imunitet diplomatik. Ai kërkon një trajtim të diferencuar nga gjithë qytetarët e tjerë dhe ka të drejtën e ekstraterritorialitetit. Mbajtja e tij në një burg të zakonshëm, pa asnjë prej të drejtave që i takon me ligj, është shkelje flagrante e të gjitha ligjeve ndërkombëtare dhe Kosova nuk duhet ta tolerojë këtë. Reciprociteti është i vlefshëm edhe me një vend më të madhe më të fuqishëm. Në të kundërt përse do vlente ai.
Dhe e fundit, Kosova dhe Shqipëria, kanë shpërdoruar mundësinë që ju dha një kohë e artë në gjeopolitikën ndërkombëtare për ne. Në bëmë diçka, por jo gjithë atë që duhej për të konsoliduar pozitën tonë. Me gjasë situata po bëhet më e vështirë dhe dy shoqëritë tona janë përgjegjëse për humbjen e një shansi që duhej të kishin shfrytëzuar më mirë. Kjo është gjithsesi një temë e gjatë që kërkon një trajtim më të plotë më vonë.
Ndërkohë arrestimi i Haradinajt dhe trajtimi i tij, vetëm sa kanë pozuar një seri problemesh, që ne kemi qenë të paaftë për t’i zgjidhur dhe të paaftë për ti përballur.