Larja e dhëmbëve nuk parandalon vetëm prishjen e tyre, por mund të ulë gjithashtu rrezikun e zhvillimit të kancerit. Studimet kanë treguar se bakteret në gojë mund të jenë tregues të rrezikut për zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit. Edhe pse kjo lidhje nuk është plotësisht e kuptueshme, mendohet se bakteret në gojë kalojnë në qarkullimin e gjakut dhe me anë të tij futen në organe të ndryshme, ku dhe infektojnë indet.
Studime të ndryshme kanë gjetur lidhje mes kancerit të gjirit, të pankreasit, ezofagut dhe zorrës. Duke studiuar më shumë këtë lidhje, shkencëtarët shpresojnë që një ditë të kenë mundësi t’u tregojnë njerëzve mbi rrezikun e zhvillimit të kancerit duke u bazuar vetëm tek prania e baktereve në trup, shkruan gazeta Shëndeti.
Sipas dr. Jiyoung Ahn, profesoreshë e asociuar i epidemiologjisë tek Shkolla Mjekësore e Universitetit të Nju Jorkut, kërkimet mbi habitatin e baktereve në trup janë relativisht të reja.
Në fakt, shkencëtarët kanë zbuluar këto 5 vitet e fundit që 80% e baktereve në trupin e njeriut nuk mund të rriten në laborator, tregon ajo për revistën Live Science.
Faktorë të tjerë mund të luajnë rol në ndryshim e mikroorganizmave në gojë, si duhanpirja apo alkooli, megjithatë dr. Ahn thotë se shpreson që ky studim i ri t’i ndihmojë njerëzit të marrin më shumë informacione se çfarë mund të bëjnë për të ulur rrezikun e zhvillimit të kancerit.
Më poshtë do të gjeni disa nga sëmundjet vdekjeprurëse që mund të kenë si nxitës bakteret e fshehura në gojë dhe dhëmbë.
Kanceri i pankreasit
Studimet kanë treguar se njerëzit që kanë nivele të larta të një lloj bakteri oral, i quajtur ‘P gingivalis’, janë 60% më shumë të rrezikuar nga kanceri i pankreasit, krahasuar me ata që kanë nivele më të ulëta. Një tjetër bakter, ‘A actinomycetemcomitans’, thuhet se dyfishon rrezikun e zhvillimit të kancerit të pankreasit.
Të dy këto baktere shkaktojnë sëmundje të mishrave të dhëmbëve.
Kanceri i pankreasit është një nga më vdekjeprurësit, duke qenë se është shumë e vështirë që të diagnostikohet që në fazat e para.
Dr. Ahn thotë se shpreson që në të ardhmen mjekët të kenë mundësi të dallojnë kancerin vetëm duke kontrolluar bakteret në gojën e një personi.
Kanceri i zorrës
Një studim i vitit 2016 tregon se bakteri në gojë që shkakton gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve mund të rrisë rrezikun e kancerit të zorrës. Shkencëtarët thonë se bakteri, i quajtur ‘fusobacterium’, mund të transportohet nëpërmjet gjakut në zorrë, nga ku mund të shkaktojë kancer apo të përkeqësojë tumoret ekzistuese.
Kanceri ezofageal
Studimet kanë gjetur ndryshime në mikrobiomën orale të njerëzve me kancer të ezofagut krahasuar me ata që nuk janë të prekur nga kjo sëmundje.
Dr. Ahn thotë se njerëzit me kancer të ezofagut priren të kenë nivele shumë më të ulëta të një lloj bakteri të quajtur ‘proteobacteria’, i cili ndikon tek sistemi riprodhues i femrës.
Vitin e kaluar, hulumtuesit shkencorë në fakultetin e Stomatologjisë tek Universiteti Louisville, në SHBA, zbuluan se bakteri ‘P gingivalis’ gjendej tek 61% e pacientëve me kancer të ezofagut. Për këtë ka dy shpjegime: njëri që qelizat kancerogjene janë zona e preferuar për sulm e bakterit ‘P gingivalis’, ose se infeksioni i shkaktuar nga ky bakter çon në zhvillimin e kancerit të ezofagut.
Kanceri i gjirit
Një studim, i kryer në vitin 2015 nga Universiteti Buffalo, në Nju Jork, zbuloi se bakteri i lidhur me sëmundjen e mishrave të dhëmbëve mund të shkaktojë kancer gjiri.
Gjatë studimit të kryer tek më shumë se 73000 gra të cilat kishin hyrë në fazën e menopauzës, shkencëtarët panë se 14% e tyre ishin më të rrezikuara nga kanceri i gjirit.
Shkencëtarët mendojnë se bakteri në gojë kalon në qarkullimin e gjakut dhe prek indet e gjirit.