Deklaratat kritike të Richard Grenell ndaj kryeministrit Albin Kurti vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë kanë marrë mbështetjen e djalit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump Jr., i cili i rishpërndau ato në rrjetin “X”.
Grenell deklaroi se qeveria e Kurtit nuk ka qenë e besueshme as për administratën Biden, as për atë Trump, dhe se retorika e tij për afrim me SHBA-të është “absolutisht e rreme”.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump-it, as gjatë mandatit të Biden-it. Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin… Mos u mashtroni,” deklaroi Grenell.
Tensionet mes Grenell dhe Kurtit datojnë që nga mandati i parë i Trump-it, kur ai ishte i dërguar për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërsa Kosova shkon në zgjedhje këtë 9 shkurt, Grenell ka rikthyer kritikat ndaj Kurtit, të cilat duket se kanë mbështetje brenda rrethit të ish-presidentit Trump.