Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili kërkohet me urdhër arresti nga Gjykata Shtetërore e Bosnjës, njoftoi se është në Moskë nga e hëna. Gjykata Shtetërore e Bosnjës lëshoi më 27. mars një urdhër ndërkombëtar arresti kundër Dodikut. Dy javë më parë zyra e prokurorit publik kishte urdhëruar arrestimin e presidentit të Republikës Srpska. Ajo e akuzoi atë dhe kryetarin e parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, se kanë shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në Republika Srpska për të anashkaluar kontrollet kufitare dhe për të udhëtuar jashtë vendit.
Para këtyre veprimeve Millorad Dodiku e kishte shpallur në mënyrë të njëanshme si të përfunduar juridiksionin e qeverisë qendrore të Bosnjës mbi Republikën Srpska, edhe pse kjo është pjesë e Bosnje dhe Hercegovinës. Vendimi i Dodikut ishte reagim ndaj një vendimi gjyqësor kundër tij, në të cilin ai u dënua me një vit heqje lirie për mosrespektim të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovinën. Megjithatë ky dënim u hodh më vonë poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Që nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit Bosnja dhe Hercegovina është ndarë në Republikën Srpska me shumicë serbe të Bosnjës dhe Federatën Kroato-Muslimane të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dy pjesët gjysmë-autonome të vendit janë të lidhura përmes një qeverie qendrore të dobët.