Dolën të atillë siç janë me maskën e njeriut në fytyrë

Nga: Kim Mehmeti

Ditëve të fundit Shkupi është më i zhurmshëm se rëndom. Të rritur e fëmijë i kanë vërshuar rrugët e tij dhe kanë dalë të blejnë maska, të bëhen gati për ditën e ‘maskave’ kur do dalin nëpër qytet të maskuar. Apo kur maskën e rrejshme të njeriut që e kanë mbajtur në fytyrë gjatë tërë vitit, do mund ta nxjerrin që të shpërfaqen të atillë siç janë.
Rrugëve të qytetit takon fëmijë gazmorë me maska të frikshme në duar. Maska mes të cilave nuk mungojnë as ato me plagë të përgjakura në fytyrë, apo me hijen e vdekjes në to.

Por megjithatë, mungon maska që do e shpërfaq fytyrën e vërtetë të kësaj bote, ajo me fëmijët e vrarë palestinezë në Gazë si dhe me miliona fëmijëve tjetrë që vdesin nga uria dhe të cilët nuk kanë nevojë të maskohen me hijen e vdekjes ngaqë atë e kanë të vulosur në fytyrë.

Shkupi i ditëve të fundit bëhet gati për ditën e ‘maskave’, kur shumë vrasës të kësaj bote, si dhe mbështetësit e tyre, do vazhdojmë t’i shohim të atillë siç kanë qenë gjithmonë – me maskën e rrejshme të njeriut në fytyrë.

Por siç duket, Perëndimi nuk mundej më ta duronte shtrëngimin e maskës së humanizmit dhe civilizimit, sepse ajo ia merrte frymën, andaj u shpërfaq me fytyrën e vërtetë – si mbështetës i vrasësve të pafajësisë së fëmijëve palestinezë, si përkrahës i një shteti që shtatë dekada me radhë terrorizon e plaçkit tërë një popull, por duke iu shpërfaqur botës rrejshëm – me maskën njerëzore në fytyrë!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu