Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka njoftuar se është lëshuar nga spitali Jovan Kostadinov, djaloshi që shpëtoi mbi 21 persona natën e kobshme në diskotekën “Puls” në Koçan.
Taravari shkruan se 21-vjeçari tashmë është hero i gjithë vendit.
“Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, ndaj me ju lajmin se më në fund është rikthyer në shtëpi Jovan Kostadinov, i riu trim që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e zjarrit të Koçanit.
Ka raste kur fjalët nuk mjaftojnë dhe kjo është një prej tyre. Si të përshkruhet një shpirt kaq trim dhe vetëmohues, që në momente paniku dhe rreziku nuk mendonte për veten, por vetëm për të tjerët?
Jovani, i cili është vetëm 21 vjeç, veproi si një hero i vërtetë. Ai hyri përsëri dhe përsëri, jo një herë, jo dy, por më shumë se 20 herë, për të ndihmuar të bllokuarit në flakë. Ai rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët.
Trupi i tij mban plagët e heroizmit të tij, por zemra e tij mbart diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë.
Jovani nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i gjithë vendit tonë. Një simbol i asaj që do të thotë të vendosësh njerëzimin mbi frikën. Një kujtesë për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe”, shkruan Taravari.