Me shembjen e armëpushimit, rikthimin e fushatës ushtarake në Rripin e Gazës dhe një Donald Trump aleat të fortë të Izraelit në Shtëpinë e Bardhë, Hamasi nuk duket më aq i bindur se mund ta vazhdojë presionin e tij ndaj shtetit hebre.
Grupi militant islamik ka deklaruar se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet izraelitë në këmbim të një “shkëmbimi serioz të burgosurish” dhe garancive se Izraeli do t’i japë fund luftës në Gaza.
Times of Israel shkruan se Hamasi është i angazhuar në negociata në Kajro me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari – dy vende që punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara për të ndërmjetësuar një pushim zjarri të qëndrueshëm në enklavën e rrethuar. “Ne jemi gati të lirojmë të gjithë robërit izraelitë në këmbim të një marrëveshjeje serioze të shkëmbimit të të burgosurve, përfundimit të luftës, tërheqjes së forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe hyrjes së ndihmave humanitare”, mësohet të ketë thënë Taher al-Nunu, një zyrtar i lartë i grupit, e cili e akuzoi megjithatë sërish Tel Avivin se po pengon përparimin drejt një armëpushimi.
“Çështja nuk është numri i robërve”, citohet të ketë thënë Nunu, “por se pushtuesi po refuzon angazhimet e tij, duke bllokuar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe duke vazhduar luftën”.
“Për këtë arsye Hamasi, nënvizoi ai, ka nevojë për garanci që ta detyrojnë Izraelin të respektojë marrëveshjen”. Prej disa javësh, të dyja palët kanë refuzuar të bëjnë kompromise dhe bisedimet u bllokuan, teksa shteti hebre në 18 mars, e rinisi ofensivën në gjithë Rripin e Gazës.