Përllogaritjet tregojnë se për ngrohjen me dru një amvisëri në mesatare ndanë 350 euro për një sezon të ngrohjes, ndërsa amvisëritë që ngrohen me energji elektrike mesatarisht harxhojnë 600 euro për një stinor të ngrohjes, respektivisht prej muajit tetor deri në muajin mars
Gati dy të tretat e amvisërive në Maqedoni përgjatë sezonit së dimrit ngrohen me dru, ndërsa një të tretat shfrytëzojnë energjinë elektrike. Llojet e tjera të energjenseve, si ngrohja qendore, qymyri, nafta, briketat apo gazi natyror, përdoren shumë pak. Sipas të dhënave statistikore, nga numri i përgjithshëm i amvisërive në Maqedoni, afër 62 për qind harxhojnë dru si energjens themelor për ngrohje, afër 28 për qind përdorin energjinë elektrike, rreth 8 për qind ngrohjen nga ngrohtoret dhe afër 2 për qind i përdorin llojet e tjera të energjenseve.
Përllogaritjet tregojnë se për ngrohjen me dru për një amvisëri në Maqedoni në mesatare ndahen 350 euro për një sezon të ngrohjes, ndërsa amvisëritë që ngrohen me energji elektrike ndajnë në mesatare 600 euro për një stinor të ngrohjes, prej muajit tetor deri në muajin mars.
Në vendbanimet rurale, por edhe qytetet më të vogla, një pjesë e madhe e popullatës preferon ngrohjen e kombinuar me dru dhe rrymë, ndërsa në vendbanimet urbane në pamundësi që të përdorin drurin, banorët preferojnë përdorimin e aparateve të ndryshme elektrike. Rryma ofron komoditet të madh, mundësinë për përgatitjen e ushqimit, nuk ka pastrim të aparateve për ngrohje dhe nuk nevojitet depo për magazimin e druve. Nga ana tjetër, qytetarët që kanë mundësi të shfrytëzojnë dru për ngrohje nëpër banesa nevojitet të organizohen lidhur me magazinimin e tyre, përgatitjen, ndezjen dhe pastrimin e hirit që mbetet pas djegies së drurit.
Ekspertët e energjetikës vlerësojnë se druri mbetet opsioni më i lirë për ngrohje, por shtojnë se në përdorimin e energjenseve të ndryshme ndikon edhe kalkulimi i të hollave të harxhuara për drunjtë apo rrymën e harxhuar, në raport me hapësirën banesore të ngrohur. Gjithashtu, për krahasimin e përparësive të ngrohjes së një sistemi me tjetrin, një rëndësi të madhe ka edhe izolimi i objekteve që mund të zvogëlojë deri në 30 për qind harxhimin e të hollave për ngrohje për një vit kalendarik. Sezoni i ngrohjes në Maqedoni më së shpeshti zgjat gjashtë muaj, edhe pse në tre muajt më të ftohët të vitit si dhjetori, janari dhe shkurti nevojitet ngrohje më intensive e dhomave, ndërsa në muajt e tjerë ngrohja përkufizohet vetëm në ngrohje të pjesërishme të hapësirave banuese.
Përllogaritjet tregojnë se një amvisëri më kursimtare nuk mund të shpëtojë pa harxhimin e së paku 350 euro për një sezon për ngrohje me dru. Çmimet e blerjes së druve në Ndërmarrjen Publike “Pyjet e Maqedonisë” mbeten të pandryshuara dhe sillen rreth 2400 denarë për një metër dru, ndërsa në magazinat private çmimi lëviz prej 3000- 3600 denarë. Përllogaritja tregon se një familje harxhon prej 6-8 metra dru, në varësi prej dimrit më të ftohtë apo më të butë, që do të thotë se harxhimi i një amvisërie për ngrohje me dru lëviz prej 14.400 deri 29 mijë denarë. Nëse shumën e përgjithshme të fituar prej 43.400 denarëve e përgjysmojmë si vlerë mesatare, atëherë del se mesatarisht harxhohen 21.700 denarë, apo 350 euro për sezon të ngrohjes me dru.
Vlen të theksohet së harxhimi i ngrohjes gjatë dimrit për një amvisëri varet edhe nga banimi në banesë apo shtëpi, ngrohjes së një apo më shumë dhomave, izolimit të brendshëm dhe të jashtëm të hapësirës banuese, vendosjes së dritareve moderne të plastikës, llojit të energjensit, kohëzgjatjes së dimrit, periudhave më të ftohta apo më të buta, llojit të aparateve për ngrohje e kështu me radhë. Nga ana tjetër, përllogaritjet për harxhimin e energjisë elektrike tregojnë se amvisëritë që ngrohen me energji elektrike ndajnë në mesatare prej 4000- 8000 denarë në muaj, varë- sisht prej llojit të aparatit ngrohës dhe numrit të dhomave që ngrohen.
Nëse përllogaritet se harxhimi prej 24 mijë denarëve dhe 48 mijë denarëve për gjashtë muaj, së bashku japin shumën prej 72 mijë denarëve, që do të thotë se në mesatare një familje harxhon së paku 36 mijë denarë, apo 600 euro për ngrohje me energji elektrike. Gjithashtu përllogaritjet tregojnë se ngrohja e 70 metrave katrorë e një banese të re kushton diku rreth 5 mijë denarë në muaj me klimë me inverter, ndërsa ngrohja me radiator me rrymë kushton së paku 8 mijë denarë në muaj. Ndryshe, në treg viteve të fundit janë paraqitur aparate që premtojnë kursime, andaj qytetarët përllogarisin se cila mënyrë është më ekonomike për ngrohje, ajo tradicionale apo mënyrat e reja të ngrohjes së banesave.
Në kohët e fundit, me të madhe reklamohen koftorë të ndryshëm që kursejnë e që përdorin “peleta” apo dru të kompresuar. Problemi në përdorimin më masovik të tyre qëndron vetëm te kostoja e lartë e tyre, pasi kushtojnë edhe 1000 euro. Koftorët e tillë dukshëm ulin harxhimet, lehtë mirëmbahen, janë ekologjik dhe kanë opsion që të mund të ndizen në mënyrë elektronike edhe nga larg, respektivisht edhe para kthimit të familjes në shtëpi./KOHA/