Kryetari i Shuto Orizarës, Kurto Dudush i ka bërë thirrje qytetarëve të Shkupit që më 31 dhjetor ta vizitojnë sheshin e kësaj komunës, ku premton se do të ketë program të pasur muzikor, përcjell TV21. Ai ka kritikuar kryetaren e Qytetit të Shkupit për organizimin dhe dekorin e Shkupit për fundvit.
“Përveç mungesës së aftësisë elementare për të ofruar shërbime publike bazë, Danellës i mungon ideja, vullneti dhe dëshira për të lumturuar bashkëqytetarët e saj të paktën për festat e fundvitit, duke e lënë hapësirën publike më të bukur të qytetit bosh, pa program. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët e qytetit të Shkupit që më 31 dhjetor të na vizitojnë në sheshin e komunës së Shuto Orizarit, ku do të mund ta përjetojnë atmosferën e Vitit të Ri në plot gjallëri. Një program i pasur i ditës dhe i mbrëmjes për të gjithë brezat, duke filluar nga ora 12:00 me program për të vegjlit tanë, më pas duke vazhduar argëtimin deri në orët e mëngjesit me muzikën dhe këngë të pasur rome”, thotë Dudush.