Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi i pyetur se ku është përgjegjësia e tij sa i përket tragjedisë që ndodhi në Koçani, tha se nuk ka ndokush në Maqedoninë e Veriut i cili nuk ndjenë përgjegjësi për tragjedinë, ku jetën e humbën shumë persona të rinj.
“Ajo çfarë ndodhi në Koçan nuk është një tragjedi e ndodhur në një vend të izoluar, por është simptomë alarmues për një sistem të shkatërruar, i zhytur thellë në korrupsion shumë vjeçar të cilën e trashëguam. Për atë që e përmendët licencën e falsifikuar, atë organet e përndjekjes janë duke vepruar, ata normalisht se do të dalin dhe t’i thonë opinionit se deri ku është hetimi. Ministria e Ekonomisë dhe Punës, nuk është kompetente dhe nuk ka mekanizma, për kontrollin nëse ka licencë ndonjë kompani apo nuk ka. Në ministrinë e Ekonomisë dhe Punës bëhen politikat, miratohen ligjet… Përgjegjësia është tek ata institucione që duhet të jenë në terren dhe të kryejnë kontrolle”, tha ministri Durmishi, duke shtuar se organet janë duke e hetuar ngjarjen dhe do të adresojnë fajtorët për ngjarjen.