KOHA: I nderuari Adnan, pse disa qarqe Ju kanë akuzuar si “armik i rrezikshëm” i shtetit?
ISMAILI: Ashtu siç bëra një aluzion më sipër, libri – në të vërtetë – është më “i rrezikshëm” se plumbi. Ata që e dinë se libri është shkaktari më i mirë për të ndryshuar gjeneratat, për të ndodhur ndryshimet e mëdha shoqërore, gjithnjë e kanë konsideruar librin si rrezik më të madh. Prandaj edhe ndaj botuesve ka ekzistuar gjithnjë një animozitet i tillë. Hiç më mirë nuk është as sot, ndonëse me intensitet më të ulët. Edhe sot nuk shkon java pa dalë ndonjë shpifje për mua dhe miqtë e mi, për aluzione me politikën, për të tjera gjëra dhe, sikur të mos isha mësuar se këto metoda i ka përdorur kundër meje UDB-ja dhe pastaj DSK-ja, do të mërzitesha, por duke e ditur se veprimtaria botuese vret më shumë se plumbi, kam mirëkuptim dhe nuk më bëjnë shumë përshtypje. Për këtë arsye jam shpallur dhe vazhdoj të trajtohem si “i rrezikshëm”, madje shpesh kam pasur problem me shtetin. Në vitin 1999 më arrestuan si të jem një kriminel dhe vetëm falë një dashamiri të librit dhe të kulturës, siç ishte miku im Arbër Xhaferi, më liruan. Por, po ua zbuloj juve se krejt ky kërcënim ndaj botuesit, që nuk mungon as sot, jo që na ka ndalur, por na ka trimëruar që të vazhdojmë të punojmë e të botojmë, sepse vetëm një popull që prodhon libra, mund të ketë shpresë për një të ardhme të denjë. Nëse ky është çmimi, për mua nuk është problem si më etiketojnë.