200 parashutistë nga Rusia dhe Bjellorusia nisën më 2 nëntor një manovër ushtarake prej dhjetë ditësh në Serbi. Njëherësh, trupat e NATO-së po bënin manovra ushtarake në Malin e Zi fqinj. Por manovrat ushtarake rivalizuese – NATO-ja në ushtrime për të menaxhuar katastrofa, si tërmetet, rusët dhe bjellorusët në anën tjetër kishin emërtuar ushtrimet bujshëm si «Vëllazëria sllave», mbase që të tingëllonte më provokuese – nuk është e habitshme pse po mbahen tani në Ballkanin Perëndimor. Rajoni, rrethuar prej shteteve të Bashkimit Europian me ruajtje të lidhjeve të kahershme me Rusinë, duket gjithnjë e më shumë se po shndërrohet në skenë të tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit
Thashethemet se Rusia mund të përzihet në rajon morën hov muajin e kaluar, citon dialogplus. Më 16 tetor, autoritetet malazeze bënë të ditur se në ditën e zgjedhjeve parandaluan një grusht shteti të mbështetur nga Rusia, që kishte për qëllim të ndalte anëtarësimin pothuajse të përfunduar të vendit në NATO. Policia arrestoi një grup prej 20 shtetasish serbë, për të cilët Milo Gjukanoviqi, kryeministri në largim, tha se po punonin në emër të Rusisë. Bratislav Dikiqi, prijës i grupit të dyshuar, pretendonte se ishte i pafajshëm dhe se dëshmitë i ishin fabrikuar. Ish-shefi i xhandarmërisë serbe, forcë policore paraushtarake, Dikiqi ishte shkarkuar vjet nga detyra pas raporteve për përfshirje në krim të organizuar (akuza që ende i hedh poshtë). Ai tani drejton një parti të vogël djathtiste, proruse, anti-NATO, në Serbi.
Shumë malazezë mendojnë se rrëfimi është i pakuptimtë dhe ishte fabrikuar për t’ua mbushur mendjen votuesve të lëkundur ta rizgjidhnin qeverinë. Sidoqoftë, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur më 24 tetor se një tjetër grup në vendin e tij, përfshirë një numër të huajsh, në fakt po organizonin një komplot kundër zotit Gjukanoviq. Shumë persona u arrestuan. Dy ditë më vonë, Nikolai Patrushev, zyrtar i lartë i sigurisë ruse, fluturoi drejt Beogradit dhe sipas mediave serbe, ai siguroi lirimin e tre rusëve të arrestuar. (Autoritetet serbe dhe ato ruse i kanë hedhur poshtë pretendimet e raportimeve). Katër ditë më vonë, dyzet tonelata me ushqim, veshmbathje dhe ilaçe të Serbisë të destinuara për Halep të Sirisë, u nisën me një aeroplan rus nga Nishi në qendër të Serbisë, ku Rusia ka një bazë për ndihma humanitare. Njëkohësisht, shtypi dhe zyrtarët serbë kanë debatuar për identitetin e një agjenti të dyshuar në policinë serbe. Për ta ndërlikuar edhe më shumë situatën, vetë Vuçiqi pastaj dukej se ishte në rrezik: masa të veçanta sigurie u morën për mbrojtjen e tij më 30 tetor pasi ishte gjetur një sasi armësh në një makinë afër shtëpisë së prindërve të tij. Mediat linin të kuptohej se bëhej fjalë për një përpjekje për vrasje. Nuk ishte e qartë se kush donte që ta vriste kryeministrin, dhe të pazbardhura kanë mbetur shumë hollësi. Shumica e atyre që raportohen nëpër mediat serbe dhe malazeze janë të pavërteta sa herë bëhet fjalë për lajme që rrokin vëmendje të madhe.
Një politikan serb beson se arsenali i armëve ishte i lidhur me luftën e drogës që tani po zhvillohet ndërmjet klaneve mafioze dhe malazeze Të dy vendet kanë afruar integrimin me BE-në dhe Amerikën në vitet e fundit. Zoti Gjukanoviq shpresonte ta anëtarësonte Malin e Zi në NATO (proces që është afër përfundimit), dhe në BE deri më 2020. Por Rusia vazhdon të këmbëngulë se ky shtet, me vijën bregdetare strategjike në Detin Adriatik, nuk duhet të anëtarësohet në Aleancën Veriatlantike. Dhe ka shumë shtetas malazezë që ndajnë mendimin e Rusisë. Vështirë për t’u shpjeguar, por shumica sllave ortodokse e Malit të Zi është e ndarë ndërmjet atyre që e identifikojnë veten si serbë, me miqësi tradicionale me Rusinë, dhe malazezët etnikë, të cilët e konsiderojnë vendin e tyre krejt të ndryshëm prej Serbisë dhe mendojnë se është e natyrshme që Mali i Zi të ndjekë linjën miqësore me Perëndimin. Nuk është e habitshme nëse anëtarët e së njëjtës familje të ndahen në këtë pikë. Anketimet tregojnë se gjysma e elektoratit të Malit të Zi janë për anëtarësim në NATO, megjithëse kjo ndodh kryesisht për shkak të frikës prej Serbisë. (Më 1999, Mali i Zi ishte bombarduar prej NATO-së, megjithëse shumë më pak se Serbia, si pjesë e fushatës për heqjen e kontrollit serb mbi Kosovën.) Zoti Vuçiq ka folur me të madhe në Serbi për idenë e anëtarësimit në BE, por po përballet me presionin nga Rusia që të bashkëpunojë me Unionin Ekonomik Euroaziatik. Sipas Daniel Sunterit, analist sigurie në Beograd, një «luftë idesh» po zhvillohet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit në Serbi. Veglat më të fuqishme të Rusisë janë portalet pro-ruse në gjuhën serbe, në të cilat bota paraqitet si në një «univers paralele» krahasuar me atë që pasqyrohet prej rivalëve perëndimorë. Dhe kjo është një luftë që duket se vetëm do të përshkallëzohet.