Ekipi olimpik i Kosovës do të kthehet në atdhe me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike, pasi Hana Beiqi dhe Gresa Bakraçi ishin atletet e fundit kosovare që garuan në Paris 2024.
Beiqi dhe Bakraçi dështuan qysh në rrethet e para në garat e tyre përkatëse të shtunën në kryeqytetin francez, duke ngelur pa medalje.
Notarja 15-vjeçare doli e fundit në baterinë e saj, me kohën 27.34 sekonda, pamjaftueshëm për ta siguruar një vendin në mesin e 16 më të mirëve. Ky ishte debutimi i saj në Lojëra Olimpike.
Bakraçi, ndërkohë, u diskualifikua nga gara në 800 metra vrapim, pasi theu rregullat duke e shkurtuar rrugën e vrapimit, pasi doli para kohe nga korsia e saj.
Megjithatë, ekipi olimpik do të kthehet në Kosovë me dy medalje olimpike nga kjo Olimpiadë, pasi kampionia olimpike nga Tokio 2020, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj.
Fazliu triumfoi në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.