Ekonomia e goditur nga Covid-19, Arabia Saudite trefishon TVSH-në

Arabia Saudite do të trefishojë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), si pjesë e masave shtrënguese për të mbështetur ekonominë e saj të goditur nga Covid-19. Kombi i pasur me naftë ka pasur ulje të të ardhurave pasi ndikimi i pandemisë ka ulur çmimet globale të energjisë, shkruan BBC.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite tha se TVSH-ja do të rritet nga 5% në 15% që nga 1 korriku.

“Këto masa janë të dhimbshme, por të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik afat të mesëm dhe afat gjatë dhe për të kapërcyer krizën e koronavirusit me dëmin më të vogël të mundshëm,” tha Ministri i Financave, Mohamed al-Jadaan në një deklaratë.

Njoftimi erdhi pasi shpenzimet shtetërore tejkaluan të ardhurat, duke krujuar një deficit në buxhet prej 9 miliardë dollarësh në tre muajt e parë të vitit.

Kjo pasi të ardhurat nga nafta në këtë periudhë ranë në 34 miliardë dollarë, duke zbritur të ardhurat totale me 22%.

Në të njëjtën kohë, banka qendrore e Arabisë Saudite deklaroi se rezervat e saj të huaja po uleshin në mars në normën e tyre më të shpejtë në të paktën dy dekada dhe në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 2011.

Deri më tani në Arabinë Saudite janë shënuar 246 viktima dhe janë regjistruar 39,048 të infektuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu