Shqetëson fakti që pas zgjedhjeve në Maqedoni po vazhdon dukuria e përjashtimit, kontestimit dhe ekskomunikimit nga shqiptaria si mënyrë komunikimi mes shqiptarëve në këtë vend. Nëse diçka nga vrazhdësia e këtij diskursi do mund të ishte e pranueshme, deri diku, shkaku i konfliktualitetit, konkurrencës dhe garës politike dhe elektorale gjatë fushatës zgjedhore tani pas zgjedhjeve ajo nuk është aspak e tolerueshme dhe duhet të dënohet në çdo mënyrë dhe trajtë në të cilën paraqitet.
Ekskomunikim është përjashtimi nga ndonjë komunitet ose përkatësi dhe është institucion i paraqitur së pari në grupet fetare, por që përfshin çdo mohim të ndonjë linje identitare kolektive të dikujt përkundër asaj se i njëjti nuk e mohon atë. Është një nga veçoritë kryesore e ekstremistëve të ndryshëm dhe përbën esencën e platformës dehumanizuese të shumë ekstremizmave politik, fetar dhe etnik. Të cilët më pas në bazë të kësaj platforme u bëjnë njerëzve atë që u bëjnë nga mizoritë, terrorit dhe krejt praktikave çnjerëzore. Historikisht ka shumë shembuj të këtillë kurse aktualisht në botë kjo karakteristikë e ekskomunikimit më sheshazi mund të dallohet tek “ISIS”-i. Organizim i përbindëshave ky, që së pari i nxjerr njerëzit nga të qenit myslimanë dhe më pas u bënë atyre mizori të papara. Edhe nëse në realitet viktimat e tyre do mund të ishin myslimanë si ato vet ose edhe më shumë se ta.
Ndonëse ekskomunikimi në fe apo disa përkatësi tjera përcaktohet me tekste, rregulla dhe kritere kjo është edhe më e rëndë në rastin e përkatësisë etnike ose kombëtare siç është rasti ndër shqiptarë, në shumë raste këtu dhe tani. Kjo metodë çoroditëse është veçori e identiteteve të brishta dhe në rastin e identiteve të qarta si ai shqiptar kjo vetëm se sjell çoroditje, huti dhe trajtohet vetëm si instrumentalizim politik. Nuk nxjerr kush shqiptarin nga shqiptaria me asgjë dhe me të vepruarit kështu vetëm që njollos veten me keqpërdorim politik. Andaj shpesh sulmet deshqiptarizuese vetëm u sjellin dëm politik mu atyre që mëtojnë ta përdorin politikisht ekskomunikimin nga shqiptaria.
Në rastin tonë, të shqiptarëve të Maqedonisë kjo nxerje nga shqiptaria përpos krejt këtyre sjell edhe dy dëme të veçanta që meritojnë trajtim më të gjerë pasi nuk para janë trajtuar shumë. Ato janë: ushqimi i paragjykimeve krahinore e lokale dhe vonimi i integrimit dhe kohezionit kombëtar si shqiptarë të Maqedonisë. Duke i lënë për trajtim të veçantë këto dy gjëra vetëm të sjellim një shembull për ta shtjelluar këtë: kur shqiptari nga Zajazi ose Struga mohon apo konteston shqiptarinë dikujt nga Shkupi, Tetova ose nga Manastiri, dhe anasjelltas, ai dhe ajo vetëm se përforcojnë paragjykimet kolektive që kanë ose mund të kenë për njëri tjetrin. Kështu edhe më shumë vonohet kohezioni kombëtar si pjesë e kombit shqiptar të shqiptarëve të Maqedonisë të cilët shpesh zaten kanë qenë të ndarë në shtete dhe grupime tjera nga ky sot: Maqedoni.
Për atë duhet kujdes të veçantë me deshqiptarizimin e njëri tjetrit se shpesh nxjerrja e tjetrit nga shqiptaria është vet tradhtia!