Mbrëmë, më 15 dhjetor, biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani, ka ndihmuar këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku, e cila kohët e fundit ishte raportuar se kishte mbetur e pastrehë në rrugët e New York-ut.
Siç raportohet, një grua shqiptare e kishte gjetur atë dhe e kishte filmuar, duke e bërë videon publike përmes rrjeteve sociale.
Pas kësaj, Elton Ilirjani ka marrë iniciativën për ta kontaktuar dhe për ta takuar personalisht. Ai e ka ndarë këtë moment me ndjekësit e tij në Instagram, duke postuar një fotografi me këngëtaren dhe duke shkruar se e ka takuar dhe po pinë kafenë e parë së bashku.
Pas takimit, Eltoni ka treguar se ka siguruar një vend për Parashqevi Simakun në një hotel në Manhattan, ku ajo mund të qetësohet.
Përmes një postimi tjetër në InstaStory, ai e ka përshkruar emocionin e tij duke thënë: “Diva jonë po qetësohet në dhomë dhe po bëhet gati për darkën që meriton! Nuk kam fjalë të përshkruaj emocionin dhe dashurinë që kam për Parashqevinë! Ajo donte Hollywood! Unë do ta çoj në Hollywood! Do të shkojmë bashkë! Por ajo ka nevojë tani për qetësi!”.
Më pas, Eltoni ka postuar një tjetër mesazh ku theksoi dashurinë dhe mbështetjen që Parashqevi ka nga shqiptarët: “Sa shumë e duan shqiptarët Parashqevinë! Nuk kam pasur kurrë kaq mesazhe në jetën time. E kisha kërkuar ta gjej dhe e gjeta për ju, shqiptarët e mi që herë herë na gjykoni! Engjëllin tonë!” Ai premtoi se do të ndajë momente nga darka e saj.
Në darkën që pasoi, Parashqevi ishte tejet e buzëqeshur, dhe Eltoni i dhuroi asaj një unazë dhe disa vathë me diamandë që i takonin nënës së tij, e cila, siç ka treguar Eltoni më parë, kishte pasur idhull këngëtaren Parashqevi Simaku.
Më pas, Parashqevi është parë duke kënduar këngë të vjetra shqiptare, ndërsa Eltoni ka shprehur krenarinë dhe nderin që ndjen për të, duke e cilësuar si “Nderin dhe krenarinë e Shqipërisë”. Ai përfundoi postimin e tij duke thënë: “Diva është sigurt dhe mirë! Ia dedikoj gjithë vitin tim artistik 2024 Parashqevi Simakut. Ia putha duart dhe iu përkula. Shqiptar krenar!”
Ky akt i Eltonit ka prekur shumë zemra dhe ka treguar solidaritetin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për njëri-tjetrin, sidomos në momentet e vështira. /Telegrafi