Modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj, ka marrë pjesë në një iftar të organizuar në New York, ku shqiptarët u mblodhën për të festuar së bashku muajin e shenjtë të Ramazanit. Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Ulqinit, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me solidaritet e vlera fetare.
Në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Çunmulaj ndau disa fotografi nga kjo mbrëmje e veçantë, duke shprehur mirënjohjen e saj për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij organizimi.
“Ishte një nder i madh të isha mikpritëse e një darke kaq kuptimplotë të iftarit, së bashku me Shoqatën e Ulqinit dhe komunitetin tonë të jashtëzakonshëm shqiptar në New York. Ramazani është një kohë reflektimi, mirënjohjeje dhe bashkimi me dashuri dhe unitet, dhe ndihem e bekuar që pata mundësinë ta ndaj këtë mbrëmje të shenjtë me të gjithë ju”, shkroi modelja në postimin e saj.
Ndër të ftuarit e veçantë në këtë ngjarje ishin emra të njohur si reperi me famë botërore Gashi, fotografi legjendar Fadil Berisha, si dhe disa personalitete të shquara nga politika amerikane, përfshirë Mark Gjonaj, kryetar i KKD, dhe përfaqësues nga zyra e Kongresmenes Nicole Malliotakis, Senatores Jessica Scarcella-Spanton, Këshilltares Kamillah Hanks dhe Asamblesë Shtetërore të New York-ut.
Çunmulaj gjithashtu falënderoi Imam Edin Gjoni dhe Imam Tahir Kukaj për kontributin e tyre të çmuar në këtë organizim, si dhe disa shoqata shqiptare si Shoqata Malesia e Madhe, Shoqata Besi, Shoqata Muriqi, Shoqata Dibra dhe Shoqata Rozafa “Shkodër”, të cilat ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij eventi.
Iftari u bë edhe më i veçantë falë kontributit të sponsorëve dhe grave të komunitetit, të cilat sollën ëmbëlsira tradicionale për të ëmbëlsuar këtë mbrëmje të paharrueshme.
Me një pjesëmarrje të tillë dhe një atmosferë kaq të ngrohtë, iftari i organizuar nga Emina Çunmulaj dhe Shoqata e Ulqinit u shndërrua në një simbol të bashkimit të shqiptarëve në diasporë dhe një reflektim të vlerave të vërteta të Ramazanit.