Epilogu i narrativit europian

Nga: Ismail Sinani

As edhe një zhvillim i vetëm historik, nuk ka ndodhur incidentalisht. Prej 30 vitesh, sidomos ne shqiptarët, duke qenë se shpeshherë kemi ditur të pozicionohemi në ekstreme, kemi ndërtuar një narrativ për perspektivat tona, duke mbyllur çdo derë tjetër me bindjen se historia ka marrë fund.

Kjo qasje, me një tagër të madh gjeopolitik, pas tri dekadash, në Samitin e Bërdos të Sllovenisë, disi sikur na ka përplasur për muri. Plot tridhjetë vjet, koncepti politik i brendshëm dhe i jashtëm është perspektiva europiane. Kaq! As më shumë e as më pak.

Por, si qëndrojnë faktet?

Historia moderne e ndërtimit të Ballkanit, fillon me Traktatin e Shën Stefanit (3 mars 1878), vazhdon me atë të Kongresit të Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878), trajtësohet me Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912–1913)… pastaj me Marrëveshjen e Dejtonit (14 dhjetor 1995), Marrëveshjen e Kumanovës (9 qershor 1999).

Ndërkohë, historianët dhe politologët shqiptarë (jo të gjithë), të yshtur nga një inercion anti-lindor, meqë në të gjitha këto “udhëkryqe historike”, duke filluar nga ai vitit 1878 e deri tek ai i vitit 1999, protagonistë kryesorë ishin shtetet e Perëndimit, në të shumtën e rasteve kanë parapëlqyer t’i heshtin ca fakte (kuptohet jo të gjitha), të cilat s’do mend se kanë taban të fuqishëm antishqiptar.

Duke qenë se gjithherë jemi drejtuar nga njerëz me qëndrime ekstreme, përjashtuar këtu rilindësit, të cilët në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX na erdhën si bekim nga Zoti për të na shpëtuar si komb, të tjerët, në periudha të ndryshme, kanë ditur të shfaqin dashuri të pamatur ndaj qendrave të ndryshme të vendosjes në rajon apo edhe në botë. Dhe, natyrisht, gjithmonë duke e harruar mësimin bazik, se secili komb, krahas folklorit, duhet të ndërtohet dhe konceptohet në suaza dhe korniza që vlejnë për kohën e vet, që të paktën të mund t’u bëjë ballë fqinjëve me të cilët është rrethuar.

Sot, kur në një mënyrë është mbyllur edhe porta e hyrjes për në Bashkimin Europian, shqiptarët janë zënë gafil dhe nuk dinë saktë se ç’të bëjnë?

E, ndërkohë, gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë politikan, prej atyre që konsiderohen si më seriozë, nuk e ka analizuar as për së afërmi krizën e brendshme europiane, e cila prej disa viteve është bërë si një makinë e ndryshkur që nuk i funksionojnë dhëmbëzorët.

Për liderët shqiptarë, që Europën e shohin si pa alternativë, nuk ka përbërë lajm se brenda këtij unioni gjenden shtete si Spanja, e cila nuk është ndikuar fare se jemi masakruar deri në shfarosje nga forcat serbe. Për ta asnjëherë nuk ka përbërë lajm se Greqia dhe Qiproja e Jugut nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ani se me mijëra fëmijë e gra e burra e pleq u masakruan nga regjimi serb. Për ta nuk ka përbërë lajm as se Sllovakia, duke mos e njohur mëvetësinë e Kosovës, është rreshtuar në krah të shtetit gjenocidal, Serbisë. Për ta nuk ka qenë fare çështje analize se Rumania, me një të kaluar të fuqishme të përbashkët me shqiptarët, sot për shkak të vijës së ortodoksizmit, nuk e njeh Kosovën. Pra, për lidershipin shqiptar, asnjëherë nuk ka qenë lajm se po ky Bruksel zyrtar prej disa vitesh në heshtje e toleron megalomaninë serbe dhe argatët më të fuqishëm të Millosheviqit.

Sipas tyre, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë për shqetësime edhe kur ultranacionalisti serb Dodiq, në vazhdimësi, ka bërë dhe bën apel për nevojën imediate të shpartallimit të Bosnjës.

Nuk ka përbërë lajm as kur Gjermania shpesh e ka ulur kokën karshi Rusisë së Putinit. Madje, as që e kanë vërejtur se po Bashkimi Europian asnjëherë nuk e ka çarë kokën se kinezët me të madhe bëjnë investime në Serbi e ushtria ruse e ndërton bazën e saj ushtarake në Nish.

Shqiptarët nuk i kanë parë dhe nuk kanë dashur t’i shohin këto ndryshime, për shkak se nuk ka më mirë se të ndërtosh utopi.

Lidershipi i këtij nënqielli as që është marrë me analizimin e parametrave të ekonomisë globale, të cilat tregojnë qartë se kush është duke shkuar përpjetë e kush tatëpjetë. As ato ushtarake nuk i shohin…, e mos të flasim për tubacionet e gazit dhe energjetikës në përgjithësi. Thjesht, për neve “dielli lind në Perëndim”! E tani kur në Bërdo të Sllovenisë e marrim vesh se është mbyllur porta, e këtë na e thotë Merkeli që i do shumë shqiptarët (!), por që e njëjta ka lidhje të ngushta me Putinin, nuk dimë ç’të bëjmë përpos se t’i ngremë supet?!

Sot kjo pjesë e globit, e që profesori Ferid Muhiq e cilëson si “burimin e dijes në kontinentin europian”, sërish po përballet me rreziqe. Ato, në shikim të parë, janë shumë të papërfillshme, por ama edhe në vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar nuk kanë qenë të paktë ata që kanë folur për një idilë. Nuk kanë qenë të paktë edhe ata që pas Marrëveshjes së Dejtonit konsideronin se tashmë gjithçka ka marrë fund… Historia njeh përplot raste kur brenda disa ditësh kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Rasti më i freskët është ai i rikthimit të Karabakut nga forcat e Azerbajxhanit.

Nëse Bashkimi Europian e ka humbur fuqinë për integrim, ngase ka nevojë për reformim, ne shqiptarët duhet të jemi syçelë. Padyshim që vendi ynë është Europa, por ndërkohë nuk duhet të flemë derisa politikanë matufë, si Borrelli, na tregojnë se si duhet t’i ruajmë “perspektivat europiane”, duke mos e luftuar krimin e organizuar të serbëve.
Koha ecë shumë shpejt.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu