Erdogan: Jam rritur në duart e një nëne shqiptare

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Bujar Nishani, e ka cilësuar Shqipërinë si një vend kyç për stabilitetin në Ballkan.

“Surpriza” e konferences për shtyp erdhi kur Erdogan filloi të fliste për fëmijërinë e tij.

“Në vendin ku kam lindur unë, komshinjtë e parë i kemi pas shqiptarë. Mund të them se jam rritur në duart e nënës shqiptare. Ishte një familje e mrekullueshme dhe i falënderoj për kujdesin që kishin ndaj meje si fëmijë”, tha presidenti Erdogan, shkruan haberturk.com, transmeton Telegrafi.

Erdogan tha se “gjatë takimit me Nishanin folëm edhe për organizatën terroriste FETÖ si dhe luftën kundër saj. Unë e falënderoj personalisht dhe në emër të popullit tim për ndihmën e dhënë ndaj nesh në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar ndër të tjera Erdogan.

Erodgan shprehu falënderimet e tij për vizitën e Presidentit të Shqipërisë, ku mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të Tunelit Euroazia (Avrasya) në Stamboll, i cili lidh Azinë me Evropën duke kaluar poshtë detit.

Duke vënë në dukje se pas takimit kokë më kokë me Presidentin Nishani është zhvilluar një takim mes delegacionesh Presidenti Erdogan ka thënë se në këto takime kanë patur mundësinë të bisedojnë për shumë çështje si politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore.

“Shqipëria, vend kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, tha Erdogan.

Presidenti turk tha se janë të kënaqur nga puna që po bën Shqipëria në fushën e sigurisë.

“Ndihma dhe bashkëpunimi jonë për modernizimin, pamjen ndërkombëtare dhe trajnimin e ushtrisë së Shqipërisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndjekim nga afër punën e Shqipërisë në drejtim të integrimit drejt BE-së dhe shpresojmë që në përfundim të këtyre hapave të hedhur në reformën për drejtësi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një vend i cili luan një rol kyç në stabilitetin e Ballkanit. Ne mendojmë që Shqipëria do të ndikojë për mirë në BE. Mbështesim gjithashtu nismat e Shqipërisë në politikën e jashtme, ku mund të veçojmë këtu punën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Erdogan. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu